Zyrtare: Thiago Silva rikthehet në Evropë, firmos për Porton
F.B/RTKLive
Thiago Silva është lojtari më i ri i Portos, duke shënuar një rikthim të mbrojtësit brazilian te klubi portugez pas gati dy dekadash.
Silva kishte qenë pjesë e Portos edhe në sezonin 2004/05, para se të ndërtonte një karrierë të suksesshme në futbollin evropian.
Në orët e fundit, Porto ka përshpejtuar ndjeshëm negociatat, duke siguruar shërbimet e mbrojtësit 40-vjeçar, i cili së fundmi ishte pjesë e Fluminense.
Klubi portugez ka konfirmuar zyrtarisht transferimin përmes kanaleve të veta, duke bërë të ditur se Thiago Silva ka nënshkruar kontratë deri në fund të sezonit, me mundësi vazhdimi edhe për sezonin pasardhës.
Pavarësisht spekulimeve, nuk do të ketë rikthim të Thiago Silvës te Milani. Klubi italian kishte shprehur interesim për mbrojtësin brazilian, i cili kishte luajtur për kuqezinjtë nga viti 2009 deri në vitin 2012, periudhë gjatë së cilës fitoi një titull kampioni në Serie A dhe një Superkupë italiane.
Interesimi i Milanit ishte nxitur edhe nga trajneri Massimiliano Allegri, i cili e kishte stërvitur Thiago Silvën gjatë periudhës së tij të parë në “San Siro”.
Allegri e shihte brazilianin si një përforcim me vlera të mëdha, jo vetëm në aspektin teknik, por edhe për ndikimin pozitiv që do të kishte në dhomën e zhveshjes.
Megjithatë, drejtuesit e Milanit vendosën të fokusohen në alternativa të tjera.























