Abdixhiku: Suhareka kërkon shpresë dhe rreshtim të qartë pas LDK-së
RTKlive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim elektoral në Suharekë, ku ka theksuar mbështetjen e madhe të qytetarëve për LDK-në dhe nevojën për ndryshim në qeverisjen e vendit.
Duke folur para simpatizantëve, Abdixhiku tha se Suhareka është e rrënjosur në vlerat e djathta kombëtare dhe e përforcuar fuqishëm nga mërgimtarët, ndërsa shtoi se qytetarët janë të lodhur nga, siç u shpreh ai, propaganda dhe qeverisja populliste që nuk ka ofruar zgjidhje reale.
Ai theksoi se LDK-ja ofron një alternativë serioze për Kosovën, të bazuar në program dhe përgjegjësi shtetërore, duke përmendur disa nga zotimet kryesore të partisë: mësimin tërëditor, hapjen e çerdheve të reja, paketën për të porsalindurit, pensione prej 300 eurosh, paga prej 1000 eurosh për mësuesit, si dhe investime në infrastrukturë rrugore, energjetikë, turizëm dhe bujqësi.
Abdixhiku prezantoi gjithashtu kandidatët e LDK-së nga Suhareka, duke thënë se ata janë profesionistë të dëshmuar që vijnë nga fusha të ndryshme si ekonomia, shëndetësia dhe qeverisja lokale. Në listën zgjedhore të LDK-së për Suharekën janë Ardian Shala me numër 26, Flamur Bytyçi me numër 80, Dafina Kolgeci me numër 81 dhe Feim Gashi me numër 82.
Në fund të fjalimit, Abdixhiku tha se Suhareka zgjedh përgjegjësi dhe seriozitet, duke bërë thirrje për mbështetje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.























