Libri për historinë e muzikës në Kosovë botohet në anglisht
Sh.G|RTKlive
Libri “Historia e artit muzikor në Kosovë” i autores dhe muzikologes Kristina Palokaj Përkola është botuar tashmë edhe në gjuhën angleze nga një shtëpi botuese në Kroaci. Ky botim u mundëson lexuesve anglishtfolës të njihen më nga afër me zhvillimin dhe historinë e artit muzikor në Kosovë.
Me këtë rast, Kristina Palokaj Përkola ishte e ftuar në studiot e Programit të Mëngjesit në RTK, ku foli për përmbajtjen e librit dhe rëndësinë e tij në dokumentimin e trashëgimisë sonë muzikore.
“Titulli i librit referon një fillesë prej vitit 1945, por jo në mënyrë deficite, sikur gjithçka të ketë filluar në atë kohë, edhe pse zhvillimet kontinuitive dhe lineare pas Luftës së Dytë Botërore janë të dukshme te ne. Aktualisht jam duke punuar në një punim tjetër shkencor ku trajtoj periudhat para shekullit XX dhe në mënyrë sporadike gjejmë aktivitete muzikore që kanë qenë të fragmentarizuara. Prandaj, kur flasim për historinë e muzikës në Kosovë, nuk mund të themi se gjithçka ka filluar në atë kohë, sepse muzika folklorike dhe tradita jonë muzikore burimore na ka shoqëruar brez pas brezi. Megjithatë, në mënyrë të institucionalizuar, zhvillimet muzikore fillojnë pas vitit 1945, pasi fillesa e gjithë këtij zhvillimi është hapja e shkollave të muzikës”, tha Palokaj Përkola.
Botimi i librit në gjuhën angleze vlerësohet si një hap i rëndësishëm për promovimin ndërkombëtar të historisë dhe kulturës muzikore të Kosovës, duke e bërë atë të qasshme për studiues, studentë dhe lexues nga vende të ndryshme të botës.























