Animacioni shqiptar në 50-vjetor, një rikthim në rrënjët e krijimtarisë
RTKlive
Në shënimin e 50-vjetorit të animacionit shqiptar, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) u shqua si një nga shtyllat kryesore të aktivitetit, duke ofruar dokumente arkivore, sekuenca filmike dhe dëshmi të çmuara historike.
Ky jubile u vlerësua jo vetëm si një përvjetor festiv, por si një rikthim në fillesat e krijimtarisë filmike shqiptare, aty ku u formësuan vizioni estetik, ironia, karakteri dhe poezia që kanë shoqëruar animacionin shqiptar ndër dekada.
Falë fondit të pasur që ruan AQSHF, u bë e mundur që publiku të njihte nga afër rrugëtimin e animacionit shqiptar dhe figurat që e ndërtuan këtë traditë me pasion dhe përkushtim, duke i rikthyer në vëmendje kontributet e tyre artistike dhe kulturore.
Në kuadër të aktivitetit u shpreh mirënjohje për të gjithë krijuesit, animatorët, studiuesit dhe dashamirësit e këtij arti, të cilët vazhdojnë ta mbajnë të gjallë trashëgiminë e animacionit shqiptar dhe ta transmetojnë atë te brezat e rinj.
Organizatorët e cilësuan këtë përvjetor si një moment reflektimi dhe vlerësimi për një nga format më të veçanta të artit filmik shqiptar, që ka lënë gjurmë të rëndësishme në kulturën kombëtare.























