Fetoshi: BE-ja duhet ta disiplinojë Serbinë me masa ndëshkuese
Në prag të festës së Krishtlindjes, Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, publikoi sot një analizë me titull asociativ nga “vija e kuqe” e Presidentit Bush ndaj Millosheviqit në vitin 1992, e njohur si “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”.
Duke tërhequr paralele midis refuzimeve të Millosheviqit dhe qasjes aktuale të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndaj kërkesave dhe qortimeve ndërkombëtare, Fetoshi argumenton se Bashkimi Evropian duhet të vendosë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, si mjetin e vetëm për ta “disiplinuar” atë.
“Përmes politikës së ‘dy karrigeve’ dhe strategjisë që kombinon ‘viktimizimin’, ‘agresionin’ dhe sulmet, Serbia është rikthyer në burimin kryesor të destabilizimit, duke aplikuar doktrinën e Putinit si një ‘mundësi’ për realizimin e projektit të ‘Botës Serbe’”, vlerëson Fetoshi.
Ai shton se vetëm konsistenca amerikane, nga ‘Paralajmërimi i Krishtlindjeve’ deri te kodifikimi me NDAA, është mesazhi që ia shuajnë shpresat për realizimin e këtij projekti.
Sipas Fetoshit, njeriu që po hetohet për ‘Sarajeva Safari’ sot është dishepull i ideologjisë serbo-madhe dhe do të vazhdojë të përfitojë si nga Brukseli, ashtu edhe nga Rusia dhe Kina, për aq kohë sa nuk do të përballet me veprime konkrete nga Bashkimi Evropian.
“Pas sanksioneve amerikane ndaj NIS dhe kodifikimit të mbrojtjes së Kosovës me NDAA nga Presidenti Trump, edhe Bashkimi Evropian duhet të ndjekë të njëjtin model, duke vendosur masa që do ta detyronin Serbinë t’i zbatojë detyrimet e saj”, vlerëson Fetoshi.
Ai përmend, mes të tjerash, pezullimin e negociatave, pezullimin e fondeve të IPA III, përfshirë ‘Fondin e Rritjes’, dhe sanksionimin e individëve, kompanive dhe rrjeteve destabilizuese.























