Guri Hana kërkohet nga klubet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri
RTKlive
Pas përfundimit të kontratës me klubin e Superligës, Prishtina e Re, futbollisti i njohur kosovar Guri Hana po kërkohet nga klube të Superligës së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Raportohet se mbrojtësi shtatlartë po ndiqet nga klube shumë serioze në elitën e futbollit kosovar, por edhe nga dy shtetet fqinje, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Qendërmbrojtësi ishte ndër futbollistët kryesorë në repartin defensiv, që mundësoi ngritjen e klubit Prishtina e Re në Superligën e Kosovës.
24-vjeçari Hana ka përmbyllur bashkëpunimin me Prishtinën e Re pas skadimit të marrëveshjes trevjeçare, duke u shndërruar në futbollist të lirë në tregun e transferimeve.
Largimin nga Prishtina e Re, futbollisti e ka konfirmuar edhe publikisht, duke falënderuar klubin për periudhën e suksesshme.
“Ju njoftoj se pas gati tre vitesh kam përfunduar bashkëpunimin me klubin Prishtina e Re. Një periudhë në të cilën u shpallëm kampionë në Ligën e Parë dhe arritëm suksesin historik – ngjitjen në Superligë. Faleminderit klubit dhe të gjithëve që ishin pjesë e këtij rrugëtimi”, ka shkruar Hana.
Në karrierën e tij, Guri Hana ka ndërtuar një përvojë të pasur si në futbollin vendor, ashtu edhe jashtë vendit. Në moshë të re, ai ka qenë pjesë e futbollit gjerman, ku si 18-vjeçar u aktivizua në Ligën e Katërt me skuadrën LSK Hansa, duke fituar përvojë të vlefshme në një ambient konkurrues.
Ai është produkt i Akademisë së 2 Korrikut, ku gjatë viteve të juniorëve mbante edhe shiritin e kapitenit. Ai ka luajtur gjithashtu për klubet Besa e Pejës, Ramiz Sadiku dhe Trepça ’89, përpara se t’i bashkohej Prishtinës së Re.
E ardhmja e Guri Hanës pritet të qartësohet në ditët në vijim, ndërsa interesimi i vazhdueshëm nga disa klube dëshmon kualitetet e tij fizike dhe taktike.























