Analistët: Bllokada politike ndikoi në verdiktin e votuesve/Video
M.P. / RTKlive
Natyra e votuesve dhe arsyet e zgjedhjes së një partie politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, bllokada politike si ndikuesi kryesor në verdiktin e fitores dhe përbërja e re e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e dhjetë, ishin temat e diskutimi sonte në RTK Prime.
Ejup Gojnovci cilësoi se qytetarët nëpërmjet votës dhanë sinjale se kush ka qenë gabim gjatë periudhës së bllokadës shkurt – dhjetor të vitit të kaluar.
“Realisht, votuesi e ka identifikuar fajtorin, sepse ai nuk gabon në gjykim. Elektorati i PDK-së konsiderohet më kokëfortë dhe më i qëndrueshëm, si dhe më besnik brenda kornizave partiake. LDK-ja, për herë të dytë, po e dëshmon mungesën e një elektorati të qëndrueshëm. Në këtë rast, elektorati i LDK-së është më demokratik dhe më i sinqertë ndaj interesit të vendit, duke e vendosur interesin partiak në plan të dytë”, tha ai.
Analisti Dorajet Imeri, në anën tjetër, tha se këto zgjedhje kanë sjellë rezultate të përafërta me ato të vitit 2021.
“Ne kemi thënë se historia vështirë se përsëritet, sepse zgjedhjet e vitit 2021 u konsideruan plebishitare për shkak të pandemisë dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti, dhe kemi supozuar se ai rezultat do të ishte vështirë i arritshëm. Megjithatë, duhet të analizohen sjelljet e votuesve. Lëvizja Vetëvendosje ka një elektorat në rritje të vazhdueshme, përmes targetimit të grupmoshave dhe identifikimit të nëngrupeve të veçanta. Në ofertën dhe qasjen e saj duket se ka pasur gjithëpërfshirje. PDK-ja ka një elektorat stabil, por stabiliteti nuk nënkupton domosdoshmërisht zhvillim – ajo nuk bie shumë, por as nuk rritet. Ndërkaq, LDK-ja ka humbur shumë vota dhe është kthyer në nivelet e para pesë viteve”, tha Imeri.
Ndërkohë, Sadik Zeqiri tha se këmbëngulja e partive opozitare për të mos bashkuar forcat në formimin e institucioneve ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e arritur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas përqindjes së votave, Partia Demokratike e Kosovës ka arritur t’i marrë një ulëse Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila fillimisht kishte fituar 15 mandate, por tani ka rënë në 14. Ndërkohë, PDK-ja ka siguruar 23 ulëse, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve me mbi 50 për qind të votave, aktualisht figuron t’i ketë 57 ulëse në Kuvend, një prej të cilave i ka marrë Partisë Demokratike të Kosovës.























