Depresioni i janarit: Si ta përballojmë këtë periudhë me sukses
BKT
Lajme

Depresioni i janarit: Si ta përballojmë këtë periudhë me sukses

Sh.G|RTKlive

Muaji janar shpesh perceptohet si periudha më depresive e vitit, për shkak të disa faktorëve që ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen emocionale dhe shëndetin mendor të njerëzve. Për këto çështje ka folur psikologia klinike Antigona Qena Sejdiu, e cila ishte e ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në Programin e Mëngjesit në RTK.

Ajo shpjegoi se rënia e temperaturave, moti kryesisht me shi ose borë, si dhe zgjatja e natës dhe shkurtimi i ditës, janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në disponimin e përgjithshëm. Sipas saj, mungesa e dritës natyrale ndikon negativisht në shëndetin mendor, ndërsa kalimi nga muaji dhjetor, i cili karakterizohet nga festa dhe shpenzime të shumta ekonomike, krijon një ngarkesë shtesë emocionale.

“Shpenzimet financiare gjatë festave dhe presioni për të realizuar planet për vitin e ri shpesh shkaktojnë stres te njerëzit. Këta faktorë bëjnë që janari të perceptohet si muaji më i gjatë dhe më depresiv,” theksoi Qena Sejdiu.

Duke folur për mënyrat e përballimit të kësaj periudhe, psikologia klinike rekomandoi kujdes të shtuar ndaj gjumit dhe stilit të jetesës. “Gjumi cilësor është një faktor kyç për mirëqenien mendore. Kur flemë mirë, kemi më shumë energji dhe e përballojmë ditën më lehtë,” u shpreh ajo.

Po ashtu, ajo këshilloi konsumimin e pijeve të ngrohta dhe ushqimeve si çajrat dhe supat, të cilat ndihmojnë në hidratimin e trupit dhe përmirësojnë funksionimin e përgjithshëm fizik, duke ndikuar pozitivisht edhe në shëndetin mendor.

Ekspertët e shëndetit mendor apelojnë që gjatë kësaj periudhe qytetarët të tregojnë kujdes ndaj vetes, të mbajnë rutina të shëndetshme dhe të kërkojnë ndihmë profesionale në rast se vërejnë përkeqësim të gjendjes emocionale.


MË SHUME NGA Lajme