Digjet objekti i një biznesi në Gjakovë, nuk raportohet për të lënduar
BKT
Lajme

Digjet objekti i një biznesi në Gjakovë, nuk raportohet për të lënduar

M.P. / RTKlive

(E plotësuar) Objekti i një biznesi në Gjakovë ka marrë flakë, por që deri më tani nuk raportohet për të lënduar.

RTKlive sjellë pamje nga vendi i ngjarjes, ndërkaq drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta ka konfirmuar se janë evakuaar punëtorët.

Ai ka njoftuar se njësia emergjente, zyrtarët policor dhe zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes. Graishta ka thënë se kanë pranuar mbështetje shtesë edhe nga njësitë e zjarrfikësve të Deçanit.

Sipas tij, prokurori kujdestar është i informuar për rastin, ndërkaq për detajet e tjera Policia e Kosovës do të dal me një njoftim zyrtar. 

Ndërkohë, kompania Comodita Home, objekti i së cilës është përfshirë nga zjarri, ka dalë me një reagim për ngjarjen, duke njoftuar se sot, në orët e pasdites, një pjesë e fabrikës së saj në Gjakovë është kapluar nga zjarri.

"Fatmirësisht, punëtorët janë evakuuar me kohë dhe nuk ka ndonjë të lënduar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet policore dhe njësitë e zjarrfikësve, në përpjekje për ta lokalizuar zjarrin. Aktualisht, ende nuk janë konstatuar shkaqet e ndezjes së zjarrit dhe nuk mund të përllogaritet vlera e dëmit material", thuhet në reagim.

Në anën tjetër, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, në reagimin e tij pas zjarrit në fabrikën Comodita, ka theksuar profesionalizmin dhe përkushtimin e zjarrfikësve, policisë dhe ekipeve komunale të emergjencave. Ai potencoi se fatmirësisht nuk pati të lënduar dhe shprehu shqetësimin për humbjet materiale, duke falënderuar të gjithë për mundin dhe solidaritetin. Gjini siguroi se do të punohet për sanimin e dëmeve nga vërshimet dhe shpreson që fabruka të rikthejë prodhimin sa më shpejt.


MË SHUME NGA Lajme