Reshjet e shiut shkaktojnë vërshime në fshatin Tërrn të Ferizajt
BKT
Foto: Arkiv
Lajme

Reshjet e shiut shkaktojnë vërshime në fshatin Tërrn të Ferizajt

Driton Ramadani / RTK

Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar vërshime në fshatin Tërrn të komunës së Ferizajt, duke përmbytur oborre shtëpish dhe duke shkaktuar dëme materiale për banorët e zonës.

Sipas banorëve, problemi kryesor lidhet me zënien e kanaleve kulluese dhe daljen e lumit Sitnica nga shtrati i tij, veçanërisht gjatë reshjeve intensive. Si pasojë, uji depërton në hapësirat e banimit dhe në tokat bujqësore, duke rrezikuar pronën dhe ekonominë familjare.

Kryetari i fshatit Tërrn, Nazmi Musliu, ka bërë të ditur se vërshimet ndodhin për shkak të pamundësisë së lumit Sitnica për të përballuar sasinë e madhe të ujit, duke kërkuar pastrimin dhe zgjerimin e shtratit të lumit, veçanërisht në segmentet që shtrihen në territorin e komunës së Lipjanit.

Edhe banorët shprehen të shqetësuar për dëmet e shkaktuara, ndonëse bëjnë të ditur se nuk ka pasur rrezik për jetën e njerëzve dhe kafshëve.

Nga Komuna e Ferizajt kanë deklaruar se janë ndërmarrë masa preventive për menaxhimin e situatës, përfshirë hapjen e kanaleve kulluese në territorin e komunës, të cilat kanë ndikuar në zvogëlimin e vërshimeve. Sipas zyrtarëve komunalë, problemi mbetet i ndërlidhur me pjesët e lumit Sitnica që kalojnë nëpër komunën e Lipjanit, ku ende nuk janë ndërmarrë ndërhyrjet e nevojshme.

Ndërkohë, autoritetet komunale nga Kaçaniku dhe Hani i Elezit kanë bërë të ditur se nuk janë raportuar vërshime dhe se situata në këto zona paraqitet e qetë.


MË SHUME NGA Lajme