Vërshimet e fundit, dhjetëra familje të evakuuara në Mitrovicë/Video
Arbana Haradinaj/RTKLive
Vërshimet e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në rajonin e Mitrovicës, duke detyruar evakuimin e dhjetëra familjeve nga zonat më të prekura. Situata më e rëndë është raportuar në lagjen “2 Korriku” në Mitrovicë, ku uji ka depërtuar në rreth 22 shtëpi banimi.
Banorët e kësaj zone bëjnë të ditur se përkundër ndërhyrjeve të hershme nga Komuna e Mitrovicës, përmbytjet kanë qenë të mëdha dhe të vështira për t’u menaxhuar. Sipas tyre, ka pasur rrezik edhe nga instalimet elektrike, ndërsa niveli i ujit ka filluar të bie vetëm pas disa orësh.
Strukturat emergjente, përfshirë Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit, kanë qenë vazhdimisht në terren, duke ofruar ndihmë dhe duke reaguar ndaj çdo thirrjeje të qytetarëve.
Dëme të mëdha janë raportuar edhe në objekte afariste. Sipas pronarëve të bizneseve, uji ka përfshirë tërësisht depot, zyrat dhe hapësirat e tjera në katet e ulëta, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme materiale.
Situata e rënduar është shtrirë edhe në veri të qytetit, ku si pasojë e përmbytjeve janë evakuuar katër familje.
Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adriana Hoxhiq, ka bërë të ditur se në dy ditët e fundit janë evakuuar gjithsej rreth 50 persona nga territori i kësaj komune. Sipas saj, më të prekura kanë qenë Lagjja e Boshnjakëve dhe zona e njohur si “Vojni Remonti”.
Vërshime janë raportuar edhe në komunat Zveçan dhe Leposaviq, ku për shkak të dëmtimeve të mëdha një urë është mbyllur për qarkullim. Banorët përgjatë lumit Ibër njoftojnë për shtëpi të përmbytura dhe dëme materiale, ndërsa autoritetet pritet të dalin në terren për evidentimin e saktë të dëmeve.
Ndërkohë, në Shalën e Bajgorës situata paraqitet më e qetë. Përveç ndërprerjes së furnizimit me ujë të pijshëm për rreth dy ditë, nuk janë raportuar dëme serioze materiale dhe gjendja aktualisht është stabilizuar.
Institucionet kompetente u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes të shtuar deri në normalizimin e plotë të situatës.























