Vështirësitë në qarkullim vazhdojnë në rrugën Ferizaj-Prishtinë |VIDEO
BKT
Lajme

Vështirësitë në qarkullim vazhdojnë në rrugën Ferizaj-Prishtinë |VIDEO

Edina Avdiu/ RTK

Pasojat e reshjeve të ditëve të fundit janë ende të dukshme në disa rrugë. Segmenti në fshatin Llapnasellë është prekur më së shumti, duke shkaktuar vonesa për drejtuesit e automjeteve. Qytetarët janë detyruar të përdorin rrugë alternative, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar.

Reshjet e vazhdueshme kanë shkaktuar grumbullim të ujit në rrugën nacionale Ferizaj-Prishtinë, duke krijuar vështirësi serioze në qarkullim.

Qytetarët që kanë hasur në këtë segment thonë se mungesa e informatave i ka vënë ata përballë vështirësive dhe vonesave në lëvizje.

“Nuk po mujna me shkua, se di a ka rrugë tjetër a ka qasje tjetër. Nuk jena kanë të informuar që është e vërshume, kjo është në të mirë të qytetarit (që është mbyllur),” thotë një qytetar.

“Punë e Perëndisë, nuk kemi çka me ba. Boll po na vështirëson qarkullimin, tash duhet me shkua tjetër kah me i ra,” tha një qytetar tjetër.

Nga Ministria e Infrastrukturës kanë bërë të ditur se tashmë është hapur njëra anë e rrugës për qarkullim, ndërsa është vendosur edhe sinjalistika përkatëse.

“Tash sapo e kemi hapur njërën anë të rrugës dhe e kemi lëshuar në qarkullim. Është vendosur sinjalistika dhe makinat po lëvizin në të dy drejtimet. Jemi duke u munduar maksimalisht që sa më shpejtë ta hapim edhe anën tjetër.”

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalizimin rrugor deri në normalizimin e plotë të situatës.


MË SHUME NGA Lajme