Policia e Prishtinës intensifikon aktivitetet në fushën e sigurisë
BKT
Lajme

Policia e Prishtinës intensifikon aktivitetet në fushën e sigurisë

RTKlive

Zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës, gjatë javës së kaluar, kanë realizuar aktivitete të shumta policore në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve janë ekzekutuar gjithsej 57 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 15 urdhëresa për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër për kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera ligjore.

Në përputhje me urdhëresat gjyqësore dhe pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara.

Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë. Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 6 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi të ndryshme municioni.

Po ashtu, policia ka qenë aktive edhe në fushën e sigurisë në trafikun rrugor. Në të njëjtën periudhë kohore janë shqiptuar 4,213 masa administrative me gjobë për kundërvajtje dhe shkelje të ndryshme të kodit rrugor, prej të cilave 484 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme.


MË SHUME NGA Lajme