Ndryshimet klimatike po rrisin rrezikun e përmbytjeve në Kosovë
Sh.G|RTKlive
Krenare Salihu Tahirukaj, drejtuese e organizatës mjedisore “Ecopana”, ishte e ftuar në Programin e Mëngjesit në RTK, ku foli për gjendjen e ekosistemit në Kosovë si pasojë e motit të ligë dhe ndryshimeve klimatike.
Ajo theksoi se përmbytjet dhe dukuritë e tjera ekstreme klimatike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, duke shtuar se Kosova duhet të përgatitet dhe të përshtatet me këtë realitet të ri.
“Për fat të keq, ne duhet të përshtatemi me ndryshimet klimatike. Më herët, këto dukuri nuk kanë qenë kaq të shpeshta, ndërsa sot përmbytjet dhe problemet e tjera janë pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike, të cilat tashmë janë të pranishme. Ne nuk mund t’i ndryshojmë, por duhet të përshtatemi me to. Globalisht, temperatura është rritur për rreth 1.5 gradë Celsius,” tha Salihu Tahirukaj.
Ajo kritikoi mungesën e përgatitjes institucionale për kushtet e motit, duke theksuar se reshjet e borës gjatë dimrit nuk duhet të konsiderohen si befasi.
“Nuk është se moti na zë të papërgatitur. Bora në muajt dhjetor dhe janar është e pritshme, ashtu si edhe vështirësitë në pastrimin e rrugëve gjatë kësaj periudhe. Duhet të jemi të përgatitur,” u shpreh ajo.
Sipas saj, një nga arsyet kryesore të përmbytjeve është degradimi afatgjatë i natyrës, veçanërisht i pyjeve.
“Ne duhet të jemi shumë më të përgatitur, sepse për fat të keq kemi degradim të natyrës tash e rreth 20 vjet. Këto pasoja nuk shfaqen menjëherë, por vijnë pas shumë vitesh, saqë ndonjëherë nuk arrijmë ta lidhim shkakun me pasojën. Për shembull, përmbytjet lidhen drejtpërdrejt me degradimin e pyjeve,” tha Salihu Tahirukaj.























