Hajdari e quan tendencioze Prokurorinë Speciale
BKT
Në Fokus

Hajdari e quan tendencioze Prokurorinë Speciale

Visar Shatrolli /RTK

(E plotësua, ora 12:50) Ministrja në detyrë e MINT, Rozeta Hajdari pas seancës gjyqësore lidhur me Rezervat Shtetërore, ka thënë se ndihet krejtësisht e pafajshme, duke e quajtur procesin si tendencioze nga ana e Prokurorisë.

“Përkundër që unë ndihem krejtësisht e pafajshme sepse është proces tendencioz nga Prokuroria Speciale e Kosovës, duke shkelur çdo procedurë ligjore, duke qenë në kundërshtim me ligjin për rezervat shtetërore dhe ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar ka iniciuar këtë aktakuzë ndaj meje”, tha ajo para mediave.

Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të brengosen, pasi që rezervat janë rritur, në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur.

Mbyllet për publikun seanca për rezervat shtetërore

(E plotësuar) Seanca e shqyrtimit fillestar për korrupsion në rastin e “Rezervave shtetërore” ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit është mbyllur për publikun.

Fillimisht në këtë seancë të  mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryetari i trupit gjykues Avni Syla kërkoi nga prokurori dhe mbrojtësit e të akuzuarve që të paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me atë nëse kjo seancë duhet të mbahet e hapur apo e mbyllur për publikun.

Këtu prokurori special Valdet Gashi, tha se qëndrimi i prokurorisë është që shqyrtimi gjyqësor të mbahet i hapur, përveç rasteve kur gjatë tij diskutohet për pjesë të cilat janë cilësuar si çështje sekrete nga ana e prokurorisë dhe janë përfshirë në aktakuzë.

Avokati i Rozeta Hajdarit, Florent Latifja, u shpreh se nuk pajtohet as me hetimin, as me aktakuzën e prokurorisë dhe as me qëndrimin e prokurorit special lidhur me kërkesën e gjykatës për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor të hapur apo të mbyllur.

Ai theksoi se në këtë çështje ka shumë materiale që përbëjnë sekret shtetëror, për të cilat, sipas tij, as avokatët mbrojtës, për cka kërkoi që seanca të mbyllet për publikun.

Edhe avokati i Irfan Lipovicës, Florim Malaj, tha se prokuroria është e njoftuar që nga fundi i korrikut dhe gushti i vitit 2025 për procedurat ligjore që duhet të ndiqen para se palët të kenë qasje në dokumente të klasifikuara, duke kerkuar qe seanca të plmbyllet per publikun.

Ndërkohë avoakti i Hafiz Garës, Nazim Mehmeti, kërkoi nga gjykata që si çështje kryesore të vlerësojë nëse informacioni i klasifikuar ka qenë i ligjshëm apo jo, në mënyrë që, sipas tij, të mundësohet hyrja në këtë çështje dhe zhvillimi i seancës së hapur, duke theksuar se kjo është në interes të palëve që ai përfaqëson.

E avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, tha se nuk do të deklarohet lidhur me çështjen e publicitetit të seancës dhe se ia lë vendimmarrjen gjykatës.

Megjithatë,  gjyqtari Avni Syla, pas dëgjimit të qëndrimeve të të gjitha palëve, tha se gjykata ka vendosur që seanca e shqyrtimit fillestar të mbahet e mbyllur për publikun, duke konstatuar se janë përmbushur kushtet ligjore për këtë.

Avokatët e të akuzuarve kërkojnë deklasifikimin e dosjes para se të vazhdohet shqyrtimi

Sh.Ç|RTKlive

(E plotësuar, ora 10:25) Gjyqtari Avni Syla ka vendosur që seanca të mbahet e mbyllur për publikun për shkak të informacionit të klasifikuar. Avokatët e të akuzuarve kërkojnë deklasifikimin e dosjes para se të vazhdohet shqyrtimi.

Gjyqtari Avni Syla ka vendosur që seanca të mbahet e mbyllur për publikun, duke u bazuar në ruajtjen e informacionit të klasifikuar.

Syla paralajmëroi se çdo publikim i informacionit konfidencial gjatë procesit gjyqësor do të sjellë përgjegjësi për personat e përfshirë. Gjykatësi tha se do të nxjerrë një aktvendim të veçantë lidhur me këtë çështje.

Në fillim të shqyrtimit fillestar, avokatët e të akuzuarve kundërshtuan vazhdimin e seancës, duke argumentuar se dokumentet e prokurorisë janë të klasifikuara dhe ata nuk kanë të drejtë të kenë qasje në to.

Avokati Fehim Alaj, që mbron të akuzuarin Irfan Lipovica, deklaroi se ka marrë përgjigje nga Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe nuk mund të ketë qasje në dokumentet e klasifikuara që përbëjnë tërë dosjen. Ai kërkoi që prokuroria speciale të iniciojë procedurën për deklasifikim, dhe më pas të vendoset nëse seancat do të jenë të hapura apo të mbyllura.

Avokati Florent Larifaj, që mbron ministren Rozeta Hajdari, dhe avokati Mahmut Halimi, që mbron Ridvan Mauhrremin, u shprehën gjithashtu se marrja ose shqyrtimi i dokumenteve të klasifikuara mund t’i vendosë ata para përgjegjësisë penale, duke theksuar nevojën për kujdes maksimal.

Rozeta Hajdari paraqitet në gjykatë për rastin e `Rezervave Shtetërore`

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar lidhur me akuzat për korrupsion në rastin e njohur si “Rezervat Shtetërore”.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Të katër të pandehurit janë të pranishëm në sallën e gjyqit, ku do të zhvillohet seanca përkatëse.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 11 nëntor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit për rastin e “Rezervave shtetërore”.

Sipas aktakuzës, Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale”.

Sipas Prokurorisë Speciale, buxheti i shtetit është dëmtuar për rreth 2.9 milionë euro, përmes kontratave të negociuara në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit, ku një pjesë e mallit dyshohet se nuk është pranuar asnjëherë.


MË SHUME NGA Në Fokus