‘Sakrifica për Liri’, dokumentar që sjell dëshmi të të mbijetuarve në Reçak
Shqipe Gashi|RTKlive
‘Sakrifica për Liri’ është dokumentari më i ri që vjen për të rikthyer në kujtesë dëshmitë tronditëse të gjenocidit serb ndaj civilëve shqiptarë në janar të vitit 1999 në Reçak. I realizuar nga Ibrahim Xhemajli, ky projekt sjell nga afër rrëfimet e të mbijetuarve dhe zërat e atyre që ishin dëshmitarë të një prej ngjarjeve më të rënda të historisë të Kosovës.
Në emisionin e mëngjesit në RTK ishte i ftuar realizatori Ibrahim Xhemajli, i cili dha detaje rreth këtij dokumentari.
Xhemajli tregoi se ideja për dokumentarin ka ardhur nga një mik danez, ish-luftëtar i UÇK-së.
“Iniciativa për këtë dokumentar ka ardhur nga një mik i yni danez që ka qenë luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur e vizituam së bashku Reçakun, ai na e propozoi realizimin e tij", tha realizatori Ibrahim Xhemajli.
Ai theksoi se lidhja familjare me një nga familjet e prekura nga Masakra e Reçakut ka ndihmuar në ndërtimin e besimit me të intervistuarit.
“Duke e shfrytëzuar edhe lidhjen time familjare, kemi arritur të depërtojmë dhe të na besojnë rrëfimet e të gjithë atyre që i kemi intervistuar, mes tyre edhe pesë të mbijetuar të masakrës”, u shpreh Xhemajli.
Sipas realizatorit, xhirimet kanë nisur para katër vitesh dhe janë shoqëruar me momente të rënda emocionale.
“Ka pasur shumë momente të ndjeshme gjatë xhirimeve, sidomos intervistimi i atyre që e kanë përjetuar nga afër këtë tragjedi", tha ai.
Ai rikujtoi se Kuvendi i Kosovës ka shpallur 15 janarin si Ditën e Gjenocidit.
“Çdo vit më këtë datë shënohet me aktivitete të ndryshme, si ndezja e qirinjve në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan e Strugë, ndërsa më 18 janar mbahet akademi përkujtimore në Cyrih të Zvicrës", shtoi Xhemajli.
Dokumentari hapet me një reportazh të BBC-së dhe deklaratën e William Walkerit.
“Dokumentari fillon me një reportazh të BBC-së dhe vazhdon me deklaratën e William Walkerit se ky është krim kundër njerëzimit, për të vijuar më pas me dëshmitë", tha Xhemajli.
Në fund, realizatori theksoi se dokumentari është realizuar pa buxhet dhe i është dhuruar RTK-së.























