Fetoshi: Ofensiva e re e propagandës serbe me ‘incidentet ndëretnike’
N.Mekolli /RTKlive
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, paralajmëron se Serbia po zhvillon një ofensivë propagandistike që shfrytëzon incidentet ndëretnike në Kosovë për të krijuar narrativën e “viktimizimit serb”.
Fetoshi, në një potim në Facebook, thekson se Serbia po kornizon çdo ngjarje si sulm etnik nga shqiptarët dhe si veprime të “falangave të Kurtit”, duke synuar të “legjitimojë ndërhyrjen e saj në Kosovë, pasi ndërkombëtarët po heshtin”.
Ai vlerëson se reagimi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili cilëson rastin e tre të rinjve serbë te Ura e Bistricës si “incident etnik” dhe Policinë e Kosovës si “parapolici”, përbën një shembull të instrumentalizimit politik të “viktimizimit”.
Sipas Fetoshit, kjo “strategji propagandistike e koordinuar” duhet të trajtohet si kërcënim serioz, pasi përveç synimit për “kriminalizimin” e Kosovës, përdoret si pretekst për nxitjen e tensioneve dhe mobilizimin e forcave në kufi.
“Me diskursin e militarizuar, nxitjen e tensioneve etnike dhe koncentrimin e forcave në kufi, Serbia po synon ta normalizojë strategjinë e saj destabilizuese ndaj Kosovës,” thekson Fetoshi.























