Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venedikut 2026
BKT
Foto nga Facebook
Kulturë

Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venedikut 2026

N. Mekolli /RTKlive

Artisti Brilant Milazimi do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit – Bienalen e Venedikut 2026, një nga ngjarjet më prestigjioze të artit bashkëkohor në botë.

Në këtë edicion, Milazimi do të prezantojë veprën “Hard Teeth (Dhëmbë të Fortë)”, një instalacion pikturor i kuruar nga José Esparza Chong Cuy. Ekspozita do të vendoset në hapësirën Chiesa di Santa Maria del Pianto, një kishë e shekullit XVII në Venecia, e cila ka qenë e mbyllur për publikun për dekada. Vepra “Dhëmbë të Fortë” shënon njëkohësisht edhe rihapjen e kësaj hapësire historike.

Pavijoni i Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut komisionohet nga Hana Halilaj, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës, ndërsa organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Bienalja e Venedikut 2026 do të mbahet nga 9 maji deri më 22 nëntor 2026, ndërsa Pavijoni i Kosovës do të jetë i hapur për vizitorët gjatë gjithë kësaj periudhe në Chiesa di Santa Maria del Pianto, Venecia.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje ndërkombëtare të artit konsiderohet një mundësi e rëndësishme për promovimin e artit bashkëkohor kosovar dhe prezantimin e krijimtarisë vendore në skenën globale.

I lindur në vitin 1994 në Gjilan, Brilant Milazimi është rritur në periudhën pas Luftës së Kosovës. Ai njihet për veprat e tij me humor të errët dhe shpesh shqetësuese, të cilat trajtojnë tema si trauma, fërkimi shoqëror dhe liria.

Në vitin 2025, Milazimi mori pjesë në një ekspozitë me dy artistë, së bashku me Zishi Han, në Brownie Project Gallery në Shangai. Po ashtu, ai ka hapur ekspozita personale në Storefront Viewing Room, kurimanzutto në Nju Jork (2025), Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë (2024; 2020) dhe Paul Soto në Los Anxhelos (2023).

Veprat e tij janë prezantuar edhe në ekspozita grupore në Galleria Continua në Paris (2025) dhe në Muzeun Ludwig në Budapest (2020). Ai ka marrë pjesë në Bienalen e Pestë Autostrada në Prizren (2025) dhe në Manifesta 14 në Prishtinë (2020).

 


MË SHUME NGA Kulturë