Basha: Reçaku tronditi ndërgjegjen ndërkombëtare
BKT
Lajme

Basha: Reçaku tronditi ndërgjegjen ndërkombëtare

Kimete Kasumi/ RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, gjatë akademisë përkujtimore në nderim të 45 civilëve të vrarë nga forcat paramilitare serbe në fshatin Reçak më 15 janar 1999, tha se kjo ditë mbetet një nga masakrat më të rëndat dhe më të dhimbshmet në historinë kombëtare.

“Me peshë të madhe në zemër e përkujtojmë këtë ngjarje tragjike, ku forcat serbe morën jetën e 45 qytetarëve tanë të pafajshëm, mes të cilëve burra, gra, pleq dhe fëmijë, duke lënë plagë të pashërueshme në secilin prej nesh”, tha Basha.

Ai theksoi se masakra e Reçakut ishte pasqyra më e qartë e terrorit sistematik ndaj popullit shqiptar dhe nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Serbisë së Sllobodan Millosheviçit, që synonte shuarjen e popullit shqiptar me çdo kusht.

“Reçaku shënoi pikën e kthesës dhe fillimin e fundit të shovinizmit të egër serb. Tronditi ndërgjegjen ndërkombëtare dhe e bëri të pashmangshëm intervenimin për të shpëtuar një popull ndaj të cilit po kryheshin krime shfarosjeje”, shtoi kryetari i Kuvendit.

Basha gjithashtu falënderoi ambasadorin William Walker, të cilin e quajti “mik i Reçakut, mik i kombit shqiptar dhe mbrojtës i pakompromis i së vërtetës”, për rolin e tij në nxjerrjen e këtij krimi në vëmendjen e botës.

 


MË SHUME NGA Lajme