Refuzohet kërkesa e mbrojtjes për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve shtesë
BKT
Lajme

Refuzohet kërkesa e mbrojtjes për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve shtesë

Elmina Abdyli / RTK

(E plotësuar, ora 11:40) Trupi Gjykues në Gjykatën Themelore ka refuzuar kërkesën e avokates së të akuzuarit Dushan Maksimoviq për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve shtesë, në vazhdim të seancës gjyqësore për sulmin në Banjskë, ku të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Gjykata theksoi se dëshmitarët e propozuar nuk do të ndryshonin vlerësimin mbi fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit, i cili sipas aktakuzës akuzohet vetëm për rol ndihmues brenda grupit të akuzuar.

Po ashtu, u refuzuan edhe propozimet e mbrojtjes për nxjerrjen e ekspertizës për krahasimin e uniformave, pasi gjykata vlerësoi se një vlerësim i tillë mund të bëhet direkt nga përmbajtja e fotografive.

Seancat e radhës do të mbahen më 18, 19 dhe 20 shkurt, duke filluar nga ora 9:30. Në seancën e parë do të dëgjohet dëshmitari i cili ishte propozuar më herët.

Të akuzuarit për rastin e sulmit terrorist në Banjskë sërish para gjyqit

(E plotësuar, ora 10:55) Po vazhdon gjykimi në rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Nën masa të rrepta sigurie, tre të akuzuarit për rastin Banjska, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maskimoviq, kanë dalë sërish para gjykatës. Në këtë seancë, mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar që për këtë rast të dëgjohen edhe nëntë dëshmitarë të tjerë.

Kjo është kundërshtuar nga prokurori i rastit, me arsyetimin se kjo përbën zvarritje të procesit, ndërsa ka shtuar se dymbëdhjetë dëshmitarë janë dëgjuar. I njëjti ka propozuar që kërkesa për dëgjimin e dëshmitarëve shtesë të refuzohet nga trupi gjykues.

Edhe avokati i familjes Bunjaku, Arianit Koci, e ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve, pasi sipas tij kjo po bëhet veç sa për të krijuar alibi.

Kërkesën e avokatëve mbrojtës të të akuzuarve e kanë kundërshtuar edhe avokatët e tjerë të palëve të dëmtuara, të cilët këtë kërkesë e kanë cilësuar si tentim për prolongim të procedurës.

Pritet të fillojë seanca në rastin Banjska

(E plotësuaar, ora 09:45) Të akuzuarit për sulmin në Banjskë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, janë dërguar Gjykatën Themelore në Prishtinë ku pritet të filloj gjykimi ndaj tyre.

Sot mbahet seanca gjyqësore për sulmin terrorist në Banjskë

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë do mbahet seanca gjyqësore për sulmin në Banjskë.

Të akuazuarit që do të paraqiten në gjyq janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Po ashtu ata në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza për këtë rast është ngritur më 11 shtator 2024 dhe ka të bëjë me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se, përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe ta bashkojnë atë me Serbinë. 

Si pasojë e këtij sulmi, është vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, janë rrezikuar jetët e zyrtarëve të tjerë policorë dhe të popullatës civile.


MË SHUME NGA Lajme