RTK me transmetimin ekskluziv të mbrëmjes së boksit me Labinot Xhoxhajn
Artan Muhaxhiri| RTK
Radio Televizioni i Kosovës dhe ekipi i boksierit kampion evropian Labinot Xhoxhaj kanë nënshkruar marrëveshje për transmetimin ekskluziv të mbrëmjes së boksit, ku Xhoxhaj do ta mbrojë për herë të dytë titullin e kampionit evropian në versionin EBU.
Me këtë rast, menaxheri dhe trajneri i Labinot Xhoxhajt, Toklir Xhoxhaj, është pritur të premten në ambientet e RTK-së nga u.d. Drejtori i Përgjithshëm Hysen Hundozi, Drejtori i RTK-TV, Rilind Gërvalla, si dhe udhëheqësi i Programit të Sportit, Artan Muhaxhiri. Takimi u zhvillua në një atmosferë shumë pozitive, ku të dyja palët shprehën entuziazmin dhe vullnetin e ndërsjellë për bashkëpunim.
Marrëveshja ka të bëjë me mbrëmjen e madhe të boksit që do të zhvillohet më 14 shkurt, në Hallensportzentrum në Lahr të Gjermanisë, ku në meçin kryesor të mbrëmjes do të ngjitet në ring Labinot Xhoxhaj. Kampioni kosovar do të sfidohet për herë të dytë në mbrojtjen e titullit EBU, këtë herë ndaj Pezhman Seifkhanit, boksier me origjinë iraniane, por me pasaportë suedeze.
U.d. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi, duke i uruar mirëseardhje ekipit të Xhoxhajt, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.
“RTK mbetet e përkushtuar në misionin e saj për të sjellë për publikun kosovar ngjarjet më të rëndësishme sportive. Transmetimi ekskluziv i kësaj mbrëmjeje është dëshmi e qartë e vullnetit tonë për të mbështetur sportistët elitarë dhe për t’i dhënë hapësirë meritore sukseseve të tyre", tha ai.
Edhe Drejtori i RTK-TV, Rilind Gërvalla, shprehu kënaqësinë për arritjen e bashkëpunimit.
“Është kënaqësi për RTK-TV që të jetë sërish shtëpia televizive e momenteve historike për sportin kosovar. Labinot Xhoxhaj përfaqëson vlera, profesionalizëm dhe krenari, dhe ne jemi të gatshëm ta promovojmë këtë duel të madh me standardet më të larta televizive', tha ai.
Me këtë marrëveshje, tradita e RTK-së në promovimin e talenteve dhe sportistëve elitarë në mërgatë vazhdon, duke e sjellë për publikun e gjerë kosovar, në mënyrë ekskluzive, një tjetër mbrëmje të madhe sportive dhe një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e kampionit evropian, Labinot Xhoxhaj.























