Testohet droni kosovar `Skifteri K1`
Sh.Ç|RTKlive
Kosova ka bërë hapa të mëdha në zhvillimin e teknologjisë së dronëve luftarakë. Ridvan Aliu nga Future Minds Academy ka njoftuar testimin e suksesshëm të dronit SKIFTERI K1, i cili ka fluturuar mbi 1,100 kilometra me saktësi maksimale dhe me një ngarkesë të armatosur prej 42 kilogramësh.
Droni i quajtur “Skifteri K1”, me rreze veprimi deri në 1 mijë kilometra, ka përfunduar me sukses fazën e testimit dhe tashmë është gati për përdorim. Kështu ka bërë të ditur Ridvan Aliu, i njohur si prodhues i dronëve nga Kosova.
Ridvan Aliu nga Future Minds Academy ka deklaruar se Kosova është gati të kryejë goditje nga ajri në distanca mbi 1,000 kilometra.
Ai ka shkruar në Facebook se është testuar droni SKIFTERI K1 nga një prej klientëve të tyre me saktësi maksimale, duke dhënë këto rezultate: fluturim 7 orë e 12 minuta, distancë 1,124 kilometra dhe payload 42 kilogramë i armatosur.
Kohë më parë kompaninë e kishte vizituar edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili ka thënë se “në të ardhmen industria e mbrojtjes dhe avancimi i dronëve luftarakë po ndërtohen dhe zhvillohen edhe në Kosovë”.
Sipas Kurtit, “Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak ‘Skifteri’ dhe dronëve civil, nga ‘Future Minds Academy’ dhe MIGA SkyShield MAR”. Ai ka shtuar se “Made in Gjilan” është përveçse natyrisht “Made in Kosova”.
Kurti ka theksuar se “në mbrojtje e siguri kemi investuar duke blerë nga shtetet tona mike dhe partnere dronët Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi dronët kamikazë Skydagger. Tash dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë. Si qeveri, edhe në nivel qendror edhe lokal, do ta mbështesim dhe përkrahim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë, gjersa nuk do t’i ndalim investimet për mbrojtje e siguri”.























