Dhuna në familje shqetësuese, policia raporton raste të shumta
BKT
Lajme

Dhuna në familje shqetësuese, policia raporton raste të shumta

Milaim Shefkiu/RTKLive

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një ndër shqetësimet kryesore shoqërore në vend, pasi pothuajse në çdo raport ditor të Policisë së Kosovës evidentohen raste të reja. Institucionet e rendit raportojnë për një sërë incidentesh që përfshijnë dhunë fizike, psikike dhe kanosje, ku në disa raste të përfshirë janë edhe të mitur.

Sipas Policisë, në Prishtinë janë raportuar dy raste të ndara të dhunës në familje, ku në njërin rast viktima ka pësuar dhunë nga bashkëshorti, ndërsa në rastin tjetër i dyshuari ka sulmuar fizikisht ish-bashkëshorten dhe bashkëshortin e saj aktual, duke u shkaktuar lëndime trupore. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje.

“Viktima femër kosovare ka pësuar dhunë nga bashkëshorti i saj. Me vendim të prokurorit pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim. 

Raste të dhunës janë raportuar edhe në komunat tjera. Në Ranillug, një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht prindërit e tij, ndërsa në Deçan dhe Malishevë, të mitur janë arrestuar nën dyshimin për ushtrim të dhunës ndaj familjarëve, përfshirë dhunë psikike dhe kanosje.

“Në Ranillug ankuesi mashkull kosovar, raporton se janë sulmuar fizikisht ai dhe gruaja e tij, nga djali i tyre. Viktimave u është ofruar ndihma mjekësore dhe me pas janë liruar në shtëpi. I dyshuari është arrestuar, me vendim të prokurorit i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë”.

Ndërkohë, Policia ka trajtuar edhe raste të kanosjes dhe sulmeve ndaj personave zyrtarë.

Në Fushë Kosovë është raportuar një rast kanosjeje serioze me municion, ku i dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa në Ferizaj dhe Prizren janë shënuar raste të kanosjes dhe sulmit fizik ndaj zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Të dyshuarit në këto raste janë arrestuar dhe ndaj tyre janë ndërmarrë veprimet procedurale përkatëse.

Autoritetet kanë bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve që dhuna të raportohet dhe të mos tolerohet në asnjë formë.

Kujtojmë se sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në tetor të vitit 2025, janë raportuar 2429 raste të dhunës në familje. Nga këto statistika 1897 viktima janë femrat, kurse 527 meshkuj.

 


MË SHUME NGA Lajme