KOSTT kërkon kufizime të ngarkesës për shkak të jobalancave të mëdha|Video
Visar Shatrolli / RTK
Kosova vazhdon të përballet me problem të qëndrueshmërisë në furnizimin me energji elektrike.
Ndonëse një javë më parë Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike, njoftoi për normalizim dhe stabilizim të gjendjes në sistemin elektroenergjetik, ky operator sot ka nënvizuar se po përballet me vështirësi të mëdha në balancimin e sistemit në kohë reale, si pasojë e devijimeve të shumta ndërmjet energjisë së nominuar dhe kërkesës reale.
Në një reagim të këtij operatori thuhet se KESCO ka siguruar mbi 25% më pak energji sesa kërkesa reale.
Duke vënë në pah se gjendja është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik, nënvizohet se sot KESCO ka siguruar rreth 26.17 për qind më pak energji sesa kërkesa reale, duke e çuar zonën e kontrollit KOSTT në jobalanca mesatare prej rreth 211 Mw orë, ndërsa në disa orë këto jobalanca tejkalojnë 260 MW orë.
Po ashtu, KOSTT ka bërë thirrje që sigurimet të reflektojnë saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, për t`i shmangur devijimet dhe për ta ruajtur sigurinë e sistemit.
Në këtë situatë, KOSTT është detyruar që të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë të fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes.
Ndërkohë, edhe KESCO ka njoftuar se sistemi elektroenergjetik aktualisht po operon në kushte të vështira dimërore.
Në reagimin e tyre thuhet se temperaturat e ulëta dhe përdorimi i shtuar i energjisë elektrike për ngrohje kanë ndikuar në rritje të theksuar të konsumit.
“Në periudhat kur prodhimi vendor mbetet i ulët, nevoja për import të energjisë elektrike rritet ndjeshëm. Megjithatë, mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment”, thuhet ne njoftimin e KESCO-s.
KESCO po ashtu njofton se në situata kur nevoja për import është shumë e lartë, mbulimi i plotë i kërkesës paraqet vështirësi të mëdha. Prandaj në këtë kontekst, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të përdorin me kujdes energjisë elektrike.
Ndërkohë, për gjendjen në Korporatën Energjetike është njoftuar edhe Ministria e Ekonomisë. Gjatë vizitës së ministres në detyrë Artane Rizvanolli, menaxhmenti i KEK-ut e njoftoi që dy njësitë, B2 dhe A3, priten të kthehen së shpejti në operim.
E për këtë, Korporata Energjetike e Kosovës i ka thënë RTK-së se gjatë ditës pritet të kthehen në prodhim dy blloqet që janë jashtë sistemit energjetik.























