Fetoshi: Ftesa e presidentit Trump, goditje për propagandën serbe
Milaim Shefkiu/RTKLive
Ftesa e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, që Kosova t’i bashkohet si anëtare themeluese Bordit të Paqes, përbën një zhvillim me rëndësi të shumëfishtë strategjike për vendin, vlerëson Arben Fetoshi, drejtor i Institutit OCTOPUS.
Sipas Fetoshit, kjo ftesë rikonfirmon Kosovën si shtet sovran, avancon marrëdhëniet strategjike me SHBA-në dhe afirmon rolin e saj si faktor paqeje në rajon, duke i dhënë një goditje të drejtpërdrejtë propagandës së Serbisë.
Ai thekson se përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për ta paraqitur Kosovën si çështje të pazgjidhur politike, si burim destabiliteti rajonal apo si shtet që kërcënon komunitetin serb, bien poshtë përfundimisht edhe nga vlerësimet ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, Fetoshi i referohet Normandy Index 2025, i cili e ka vlerësuar Kosovën si objekt të kërcënimeve hibride nga Serbia, ndërsa e lidh drejtpërdrejt Beogradin me tensionet në veri të Kosovës. Ky indeks, i bazuar në indikatorët e “EU Global Strategy”, e klasifikon Serbinë si burim destabilizimi për shkak të afrimit të saj të vazhdueshëm me Rusinë dhe Kinën.
Raporti, po ashtu, rendit Kosovën në pozitën e 13-të dhe Serbinë në të 41-tën sa i përket nivelit të kërcënimeve ndaj paqes dhe demokracisë në botë, duke e pozicionuar Kosovën si vendin më të qëndrueshëm në rajon për siguri strategjike, ndonëse të ekspozuar ndaj presioneve hibride.
“Ftesa e Presidentit Trump, në kontekstin aktual gjeopolitik, është edhe një mesazh i qartë për shtetet dhe organizatat që ende nuk e njohin Kosovën, duke e afirmuar atë si subjekt të barabartë në përpjekjet globale për paqe”, vlerëson Fetoshi.
Sipas tij, lidhja e kësaj ftese me Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së (NDAA) dhe me vlerësimet e Bashkimit Evropian për kërcënimet ndaj paqes dhe demokracisë në botë, përbën një sinjal të qartë strategjik se Kosova është e rreshtuar në anën e duhur të historisë dhe nuk mund të përkufizohet nga narrativat e fabrikuara të Serbisë.























