Sonte në RTK: Fenerbahçe – Aston Villa, duel i nxehtë në Ligën e Evropës
Valon Jakupi|RTK
Në transmetim të drejtpërdrejt sonte në RTK, vjen ndeshja e Ligës së Evropës, Fenerbahçe - Aston Villa. Ky duel nis në orën 18:45 dhe i takon xhiros së 7-të të këtij kompeticioni.
Fenerbahçe pret në “Şükrü Saracoğlu” Aston Villën në njërin ndër duelet më interesante të javës së shtatë në fazën e grupeve të Europa League. Ekipi vendas po kalon një formë shumë të mirë, pasi ka fituar secilën nga katër ndeshjet e fundit zyrtare.
Fenerbahçe është gjithashtu në një periudhë të mirë në Evropë kur luan në stadiumin e saj, duke mos pësuar humbje në pesë ndeshjet e fundit. Momentalisht, ekipi turk renditet i 12-ti në grup me 11 pikë.
Në anën tjetër, Aston Villa ka siguruar të paktën një vend në fazën eliminatore, pasi ka humbur vetëm një nga ndeshjet e tyre në UEL këtë sezon, duke regjistruar pesë fitore. Aktualisht, Aston Villa renditet e treta në grup.
Ky duel do të jetë i veçantë edhe për trajnerin e Aston Villas, Unai Emery, i cili do të bëhet njeriu i parë që drejton 100 ndeshje në Europa League. Emery ka fituar këtë kompeticion plot katër herë si trajner i mëparshëm i Sevillas dhe Villarrealit.
Te Fenerbahçe nuk do të luajnë Szymanski, Guendouzi, Brown dhe Merchán, ndërsa te ekipi anglez mungojnë mesfushorët Barkley, Kamara dhe Onana.
Sa i përket historikut të përballjeve direkte, këto dy skuadra janë takuar më parë në Evropë në vitin 1977, kur Aston Villa fitoi të dy ndeshjet.























