Një muaj paraburgim për Sllamnikun
BKT
Lajme

Një muaj paraburgim për Sllamnikun

Emine Hoti/RTKlive

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit A. S., i cili dyshohet për kryerjen e dy veprave penale të rënda në fushën e shëndetësisë.

Në komunikatën e kësaj Gjykate thuhet se sipas aktvendimit të gjykatës, nga një periudhë e papërcaktuar kohore e deri më 20 janar 2026, në rrugën “17 Shkurti” në Gjilan, në lokalin e regjistruar si “Consulence”, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore, pa poseduar kualifikim profesional, licencë apo autorizim ligjor.

Ai dyshohet se ka kryer trajtime dhe vizita mjekësore këshilluese, duke u paraqitur kinse ofron shërime për Autizmin, përmes rekomandimit të terapive të ndryshme të paverifikuara dhe të pakonfirmuara shkencërisht, ndonëse nuk kishte njohuri apo përgatitje profesionale në këtë fushë.

Gjykata Themelore në Gjilan njofton se gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit UGJK nr. 5/2026 nga Njësia e Hetimeve Penale në Gjilan, në lokalin “Consulence” është hasur edhe një dëshmitar, i cili kishte shkuar për konsultim lidhur me trajtimin e Autizmit. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar medikamente të ndryshme mjekësore.

Me këto veprime, sipas Gjykatës, A. S. dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, sipas  Gjykatës, i pandehuri përmes komunikimit elektronik dhe telefonik, pa autorizim ligjor dhe në kundërshtim me Ligjin për veprimtarinë farmaceutike si dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka kryer eksperimente të kundërligjshme mjekësore. Ai dyshohet se ka rekomanduar terapi farmaceutike të patestuara për fëmijë me çrregullime nga spektri i Autizmit, duke premtuar largimin e metaleve dhe shërimin e kësaj gjendjeje shëndetësore, në këmbim të pagesave të ndryshme financiare.

Për këto veprime, A. S. dyshohet edhe për veprën penale “Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave”, nga neni 257 paragrafi 1 i KPRK-së.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke theksuar se masat alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e zhvillimit të suksesshëm të procedurës penale.

Tutje thuhet se palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme