RTK përzgjidhet fituese e thirrjes “LINGUA” nga Microsoft
BKT
Në Fokus

RTK përzgjidhet fituese e thirrjes “LINGUA” nga Microsoft

Sh.Çoçaj|RTKlive

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) është përzgjedhur fitues i thirrjes së hapur LINGUA nga kompania amerikane Microsoft, njoftoi sot u.d. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi.

Hundozi ka theksuar se mbështetja totale e projektit kap shumën prej 106,000 dollarë amerikanë, prej të cilave 48,000 dollarë janë në vlerë financiare, ndërsa 58,000 dollarë në kredi teknologjike të Microsoft Azure.

Sipas tij, qëllimi i projektit është përpunimi digjital i të dhënave audio, video dhe tekstuale të RTK-së në gjuhët shqipe, serbe, boshnjake, turke dhe rome. Projekti do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë mes RTK-së, Microsoft-it, gjuhëtarëve, organizatave dhe ekspertëve të inteligjencës artificiale në vend dhe jashtë tij.

“Synimi është që shërbimet e RTK-së të avancohen, duke i bërë ato më të qasshme për publikun dhe duke i pasuruar me mjete për njohjen dhe përkthimin automatik të të folurit në përmbajtjet audiovizuale. Projekti gjithashtu do të rrisë ndërgjegjësimin për diversitetin gjuhësor dhe përfshirjen kulturore të komunive në Kosovë, si dhe do të forcojë prezencën e gjuhëve të Kosovës në projektet ndërkombëtare që përdorin AI”, ka shkruar Hundozi në Facebook.

Ai ka theksuar se në këtë thirrje u përzgjodhën projekte nga 10 vende evropiane, që mbulojnë 16 gjuhë dhe dialekte, ndërsa RTK është projekti i vetëm i transmetuesve publikë që u përzgjodh.

Hundozi ka shtuar se ky projekt është pjesë e përpjekjeve për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të RTK-së me partnerë dhe institucione amerikane, si pjesë e partneritetit strategjik në nivel vendi që Kosova e ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka përgëzuar Elvana Kadiu Prekazin, hartuesen e projektit, për punën dhe angazhimin që e bëri të mundur këtë sukses.


MË SHUME NGA Në Fokus