Kosova përfundon garat në eFIBA Season 4, përvojë e mirë për Dardanët
BKT
Sport

Kosova përfundon garat në eFIBA Season 4, përvojë e mirë për Dardanët

Naser Mekolli /RTKlive

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll elektronik ka përfunduar pjesëmarrjen në eFIBA Season 4, duke marrë pjesë për herë të dytë në kualifikimet evropiane për Kampionatin Botëror, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës.

Dardanët në eSport u përballën me një grup tejet të vështirë, ku kundërshtarë kishin përfaqësuese të fuqishme si Franca, Kroacia, Lituania dhe Hungaria. Në ndeshjet e zhvilluara të martën, Kosova pësoi humbje nga favoritët Franca dhe Kroacia, ndërsa të enjten mbrëma shfaqi paraqitje pozitive ndaj Lituanisë dhe Hungarisë, njofton Federata e Basketbollit të Kosovës.

Në dy përballjet ndaj Lituanisë, rezultati përfundimtar ishte 125:175, ndërsa ndaj Hungarisë 134:158, çka, sipas FBK-së, dëshmon një lojë më të baraspeshuar dhe progres në paraqitje.

Bëhet e ditur se në fazën “Play-off”, Kosova u ndesh me Finlandën, ku u mposht me rezultat 85:72, duke i dhënë fund garave për këtë edicion.

“Kjo ishte hera e dytë që Kosova paraqitet në këtë garë, ku në edicionin e sivjetëm morën pjesë 19 shtete evropiane. Synimi ynë mbetet masivizimi i këtij sporti shumë atraktiv dhe arritja e rezultateve pozitive në vitet e ardhshme”, thuhet në njoftimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

eFIBA Season 4 po shihet si një platformë e rëndësishme për zhvillimin e basketbollit elektronik në Kosovë dhe për rritjen e përvojës ndërkombëtare të sportistëve vendorë.