Vazhdon rinumërimi, përmbyllet në mbi 55 për qind të vendvotimeve
Valmira Saraçi|RTKlive
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka shkuar mbi 55 përqindja e rinumërimit të vendvotimeve, apo janë rinumëruar 1,423 nga 2,557 vendvotime. Në 21 komuna të Kosovës ka përfunduar ky proces tërësisht.
Procesi i rinumërimit po zhvillohet bazuar në vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas evidentimit të manipulimeve me vota të kanidatëve brenda subjekteve politike.
Kjo aktivizoi edhe Prokurorinë e Shtetit që kërkoi nga Prokuroritë Themelore në mbarë vendin mbledhjen e informatave dhe provave të nevojshme për të vërtetuar nëse është kryer ndonjë vepër penale lidhur me procesin zgjedhor.
Komuna me më së shumti diferencë votash në rinumërim doli komuna e Prizrenit, ku si pasojë KQZ-ja shkarkoi nga Komisioni Komunal Zgjedhor përfaqësuesit politik.
Një ditë më parë pas një aksioni policor në këtë qytet në pranga përfunduan 109 të dyshuar për falsifikim rezultatesh, presion e për dhënie e marrje të ryshfetit, madje u paralajmërua se nuk do të përfundojë githcka me numrin e atyre të arrestuarve një ditë më parë.
Kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren tha se do të ishte e pamundur të ndryshoheshin gjithë këto vota po të mos kishte kompromis të të gjithë komisionierëve nga katër partitë e mëdha.
Megjithatë, deri të premten gjatë deklarimit të kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu nuk kishte ndonjë kandidat për deputetë që po hetohej.
“Unë besoj se edhe kandidatët do të dëgjohen në Prokurori. Në rast se nuk mund të sigurojmë prova në cilësi të të dyshuarve, padyshim se ne i kemi dëgjuar edhe deklaratat e tyre mediale, pa përjashtim nga subjektet politike, që ata ndjehen edhe të dëmtuar për shkak të imazhit. Besoj që Prokuroria do t’ia jep këtë mundësi t’i marrin së paku në cilësinë e të dëmtuarve”, deklaroi në ditë më parë kryeziu.
Diferenca totale e keqpërdorimeve u tha të jetë 68, 017 vota, ndërsa vetëm për një kandidat dallimi ka shkuar deri në mbi 6 mijë vota.























