Muzeu ‘Etno Kastrioti’, thesar i artefakteve në Isniq
Islam Haxhiu/RTK
Eksponate të vjetra që nga ilirët e dardanët që tregojnë traditën e kombit shqiptare e deri te lufta e fundit në Kosovë, por edhe eksponate mjaft të vjetra evropiane, janë pjesë e Muzeut Etno Kastrioti, në Isniq të Deçanit. Miftar Jonuzaj, një njeri i vullnetit dhe pasionit, ka arritur të grumbullojë mijëra eksponate të periudhave të ndryshme kohore, duke tërhequr kështu edhe shumë vizitorë që ia mësyjnë Dukagjinit.
Kjo sëpatë e vjetër e kohës së gurit, 5000- 6000 vjeçare, e gjetur në shtratin e Lumbardhit të Deçanit ka qenë motivi kryesor që Miftar Januzaj nga Isniqi i Deçanit të fillojë grumbullimin e qindra artefakteve tjera të cilat me kujdes të madh i ka ekspozuar në Muzeun “EtnoKastrioti”, thotë .
“E shikojmë, këtu është një guri që nga koha e gurit, është sëpatë ilire e cila daton diku 5000- 6000 vjeçare. Këtë e kanë konstatuar ekspertët, etnologët, arkeologët nga Prishtina nga Tirana. Këtu kemi pas edhe arkeolog edhe nga SHBA-ja që me këtë guri janë mahnitë. Guri ëhstë gjetur në lumin e Deçanit, e ka gjet vajza ime para luftës dhe ky është shkaktari kryesor që kam filluar dhe kam arritur deri këtu dhe prandaj e kam quajtur ‘Guri i energjisë, kjo është fytyra e ‘Mbretëreshës në fron’, është gjetur në një familje e cila kur e ka hapur bodrumin dy me tra në thellësi të tokës së bashku me ‘shatin’ do të thotë të mbështjellë kanë qenë me lëkurë dhe e ka sjellë në Muzeun Etno Kastrioti. Ky gyp është përdorur për ujësjellësin dhe është gjetur dikund në pronat e disa individëve në komunën e Deçanit dhe sipas ekspertëve të kësaj lëmie është i vjetër diku 2500 vjet”, thotë koleksionisti Januzaj.
Pasionin e këtij koleksionisti të devotshëm po e vlerësojnë shumë edhe studiuesit dhe ekspertët e trashëgimisë.
“Shihet se këtu ka eksponate të lloj-llojshëme të fushave të ndryshme të jetës së banorëve tonë të lashtë; ka mjete pune, ka mjete amvisërie, mjete të punës së nënave tona, ka armë me artefakte dhe eksponate të ndryshme të cilat në përgjithësi e promovojnë jetën e dikurshme të shqiptarëve në këto treva”, thotë Prof Dr. Bekim Vishaj, studiues i trashëgimisë.
Ai shtoi se shembulli dhe puna e koleksionistit Januzaj duhet të përkrahen edhe nga institucionet kompetente në mënyrë që të ketë mundësi t’i promovojë në formën më origjinale në kuadër të këtij muzeu etnologjik.























