Sot përurohet libri `Shtëpitë-shkolla: kujtojmë që të mos harrojmë`
Kimete Kasumi/ RTKlive
Sot, nga ora 12:00, në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, përurohet libri "Shtëpitë-shkolla: kujtojmë që të mos harrojmë" i autorit Fadil Aliu.
Autori tha se libri ka karakter kryesisht historik. Sipas tij, pjesa e parë e librit trajton arsyet që çuan në përjashtimin e nxënësve nga shkollat publike, si dhe mënyrën se si u organizua procesi i transferimit të tyre në shtëpi-shkolla. Aliu shpjegon edhe vendimin e familjes së tij për t’u përfshirë në këtë proces, duke theksuar se libri i kushtohet në veçanti kontributit të familjes së tij.
“Kam pritur që këtë histori ta shkruante dikush tjetër, por meqë nuk ndodhi, vendosa ta bëj vetë”, pohoi Aliu.
Duke folur në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Aliu kujtoi se ajo periudhë ishte një gjallëri e jashtëzakonshme dhe se shtëpi-shkollat u shndërruan në pika reference për komunitetin, përfshirë edhe lagjen e Herticëve.
“Ishte kënaqësi, nuk mërziteshe kurrë, gjithmonë kishte biseda dhe njerëz. Sfida e vetme ishte siguria e nxënësve”, tha ai.
Aliu theksoi se familja e tij ka qenë shumë e preokupuar për sigurinë, pasi nxënësit dhe arsimtarët rrezikoheshin gjatë rrugës për te Herticët, duke kaluar nëpër shumë postblloqe.
“Sipas meje, heronjtë e vërtetë kanë qenë arsimtarët dhe prindërit që i lejuan fëmijët e tyre të vinin në shkollë në ato kushte”, theksoi Aliu.























