Vizita në Izrael, Rama pritet nga kryeministri Netanyahu
BKT
Kulturë

Vizita në Izrael, Rama pritet nga kryeministri Netanyahu

rtsh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet sot në Izrael, në kuadër të vizitës zyrtare me rastin e Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, që mbahet më 27 janar.

Rama është pritur nga homologu i tij, Benjamin Netanyahu ndërsa më pas kanë zhvilluar edhe një takim “kokë më kokë”.

Diskutimi mes dy kryeministrave është përqëndruar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Izraelit, bashkëpunimin politik dhe institucional, si dhe çështje të interesit të përbashkët në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Pas bisedimeve dypalëshe, Rama dhe Netanyahu do të kryesojnë edhe një takim mes delegacioneve përkatëse, ndërsa në përfundim është parashikuar një deklaratë e përbashkët për shtyp.

Kryeministri Rama ndodhet në Izrael i shoqëruar nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Paralelisht me takimet zyrtare, znj. Rama do të zhvillojë aktivitete të veçanta, përfshirë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit, së bashku me znj. Michal Herzog, bashkëshorten e Presidentit izraelit.

Gjatë ditës së sotme, Kryeministri shqiptar do të pritet gjithashtu me ceremoni shtetërore në Knesset, Parlamentin e Izraelit, ku do të nderohet sipas protokollit zyrtar, përfshirë rojet e nderit, himnet kombëtare dhe homazhe në monumentin e ushtarëve të rënë dhe viktimave të terrorit. Vizita do të pasohet nga takime me drejtuesit e Knessetit dhe përfaqësues të lartë institucionalë.

Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës do të jetë seanca plenare speciale e Knessetit, gjatë së cilës Kryeministri Edi Rama do t’i drejtohet Parlamentit izraelit me një fjalim të posaçëm. Ky fjalim vlerësohet si historik, pasi zhvillohet sipas një protokolli të rezervuar për një numër shumë të kufizuar udhëheqësish botërorë.

Vizita e Ramës në Izrael do të vijojë më 27 janar me pjesëmarrjen e tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku ai do të mbajë një fjalë në prani të Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.


MË SHUME NGA Kulturë