Shënohet Dita Përkujtimore e Holokaustit, RTK shfaq sonte filmin Bardejov
Shqipe Gashi|RTKlive
Sot, më 27 janar, shënohet Dita Mbarëbotërore e Paralajmërimit dhe Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit. Me këtë rast, sonte në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), nga ora 21:00, do të shfaqet filmi artistik “Bardejov”, kushtuar kësaj dite përkujtimore.
Më 27 janar 1945 forcat e armatosura sovjetike, Ushtria e Kuqe, çliruan kampin nazist të përqendrimit dhe të shfarosjes Auzhvic-Birkenau. Ushtarët gjetën disa të mbijetuar, rrënoja të dhomave të gazit, të vdekur dhe hirin e të vrarëve. Vetëm në Auzhvic u vranë rreth 1,1 milion qytetarë. Shumica e tyre, rreth 90 për qind, ishin hebrenj dhe Aushvici ishte vetëm njëri nga vendet e shumta të internimit dhe vrasjeve masive nga Gjermania naziste në Evropë.
E ftuar në emisionin e mëngjesit në RTK ishte ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv, e cila foli për rëndësinë e kësaj dite, mënyrën se si përkujtohet Holokausti në Izrael, si dhe mesazhin që kjo ditë përcjell për botën.
Ambasadorja Ziv theksoi se në Izrael ekzistojnë dy ditë zyrtare përkujtimore në vit. “Njëra është Dita e Holokaustit, që shënohet në muajin maj, dhe tjetra është dita e përkujtimit të ushtarëve dhe të rënëve. Në këto ditë, ceremonia fillon me dy minuta heshtje në të gjithë vendin. Bien sirenat, ndalen autobusët dhe makinat, gjithçka ndalon. Njerëzit heshtin dhe kujtojnë viktimat,” tha ajo.
Sipas saj, në Izrael kësaj dite i kushtohet vëmendje e veçantë për 24 orë rresht. “Të gjithë transmetuesit publikë fokusohen vetëm në këtë temë. Transmetohen filma, dokumentarë dhe debate që lidhen me Holokaustin, duke e mbajtur të gjallë kujtesën për atë që ka ndodhur dhe pse kjo ditë duhet të mbahet mend”, u shpreh Ziv.
Ambasadorja theksoi gjithashtu se numri i të mbijetuarve të Holokaustit po zvogëlohet çdo vit, gjë që përbën një sfidë të madhe për ruajtjen e kujtesës historike. “Pas pak vitesh nuk do të ketë më të mbijetuar dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme që historia të ruhet dhe të transmetohet brez pas brezi”, tha ajo.
Duke folur për situatën globale, Ziv ngriti shqetësimin për rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe antisemitizmit, veçanërisht në rrjetet sociale. Ajo theksoi se qeveritë kanë një sfidë të madhe për të luftuar dhunën dhe përhapjen e urrejtjes në media.
“Mesazhi ynë për këtë ditë është i qartë: të përkujtohet dhe të mos harrohet kurrë. Çdo shtet duhet t’i kushtojë një ditë përkujtimit të Holokaustit dhe kjo temë duhet të jetë pjesë e programeve arsimore, sepse është një mësim që e gjithë bota duhet ta mësojë,” përfundoi ambasadorja Ziv.























