Lëndim serioz për Ismajlin, rrezikon sfidën me Poloninë
BKT
Sport

Lëndim serioz për Ismajlin, rrezikon sfidën me Poloninë

Fatmir Bytyqi/RTKLive

Ardian Ismajli i është nënshtruar analizave mjekësore pas lëndimit të pësuar në ndeshjen e fundit të kampionatit italian ndaj Torinos, ndërsa rezultatet nuk janë aspak inkurajuese.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka pësuar një lëndim muskulor në kofshën e djathtë, duke ngritur shqetësime serioze edhe për trajnerin Sylvinho.

Klubi i Torinos ka dalë me një njoftim zyrtar në faqen e tij, ku thekson se koha e rikuperimit do të varet nga ecuria klinike e dëmtimit, por një gjë është e sigurt: Ismajli do të mungojë në ndeshjet e ardhshme të ekipit.

“Në varësi të reagimit ndaj trajtimit do të përcaktohet edhe koha e rikuperimit, por lojtari do të humbasë me siguri ndeshjet e ardhshme”, thuhet në komunikatën e klubit italian.

Edhe pse nuk ka ende një afat të saktë për rikthimin e tij, burime pranë klubit bëjnë me dije se Ismajli pritet të qëndrojë jashtë fushave për të paktën një muaj.

Duke llogaritur edhe kohën e nevojshme për të rikuperuar formën optimale, mbrojtësi rrezikon seriozisht prezencën në ndeshjen e Play-off-it të Botërorit ndaj Polonisë, që do të zhvillohet në muajin mars.

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, shpreson të mos përballet me lëndim të tjera përpara kësaj sfide vendimtare, sidomos të lojtarëve me përvojë që aktivizohen në kampionate të forta evropiane, si Ismajli. Për qendrën e mbrojtjes, tekniku brazilian ka në dispozicion edhe emra si Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Marash Kumbulla.