Ziv: Holokausti, mohimi i dinjitetit njerëzor (VIDEO)
Medina Pasoma dhe Kimete Kasumi / RTKlive
Në Prishtinë janë përkujtuar miliona viktima të Aushvicit në 81-vjeorin e Holokaustit ndaj hebrenjve. Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, tha se Aushvici mbetet vdekja më e errët e njerëzimit ku jeta humbi vlerën, të drejtat dhe dinjitetin.
“Mbi 1 milion hebrenj u vranë bashkë me rom, pakica tjera racore dhe persona me aftësi të kufizuara. Por në thelbin e saj Holokausti ishte mohimi përfundimtar i të drejtave të njeriut, dinjitetit njerëzor. Rrjedh nga një ideologji anti semite që i dehumanizon qeniet njerëzore duke thënë se disa raca janë jo humane dhe duhet eliminuar”, deklaroi ambasadorja.
Ziv vazhdoi duke thënë se anti semitizmi vazhdon të jetë prezent ende në botë dhe ka shtrirje te populli hebrenj.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë: Aushvici, simbol i përgjegjësisë historike

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka theksuar se Aushvici përfaqëson vrasjen e pamëshirshme të mijëra e qindra mijëra personave, kryesisht hebrenj, të persekutuar dhe të vrarë sistematikisht nga nazistët.
Ai ka kujtuar vizitën e tij personale në këtë kamp përqendrimi, të cilin e kishte vizituar për herë të parë në moshën 17-vjeçare si student.
“Një pamje që është skalitur në memorien time janë binarët e hekurudhës që përfundojnë aty, sepse nuk ka kthim mbrapa për ata që nisen drejt atij kampi”, ka deklaruar Rudolph.
Tutje, ambasadori ka theksuar se për Gjermaninë përkujtimi i Aushvicit është një akt përgjegjësie historike.
“Nuk do t’i harrojmë kurrë këto krime që janë kryer nga gjermanët, në emër të gjermanëve, as vuajtjen e pamatshme që u shkaktua. Po ashtu, nuk do të harrojmë kurrë se çfarë është në gjendje të bëjë njerëzimi kur ideologjia e epërsisë racore shndërrohet në politikë zyrtare shtetërore, duke mundësuar vrasjen industriale të një grupi të shënjestruar të njerëzimit”, ka thënë ai.























