Kurrikulat shkollore drejt ndryshimeve, fokusi te cilësia|Video
BKT
Lajme

Kurrikulat shkollore drejt ndryshimeve, fokusi te cilësia|Video

Qendresa Duraku / RTK

Kurrikula shkollore në Kosovë po rishikohet pas shqetësimeve të mësimdhënësve se ajo është e ngarkuar, veçanërisht në ciklin e ulët. Edhe ekspertët e arsimit vlerësojnë se ndryshimet duhet të jenë më të thella, duke përfshirë rishikimin e kompetencave dhe të gjithë kornizës kurrikulare. Ministria e Arsimit ka marrë vendim për rishikimin e kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për arsimin fillor, nga klasa e parë deri në të pestën, si dhe për arsimin e mesëm të ulët, nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Kurrikula për ciklin e ulët po vlerësohet e ngarkuar dhe jo gjithmonë në përputhje me moshën e nxënësve. Mësimdhënësit thonë se përmbajtja aktuale shpesh e vështirëson zbatimin praktik në klasë.

Mësuesja klasore Nafije Kuqi, nga shkolla fillore “Pavarësia” në Prishtinë, thotë se përveç arsimimit formal, fëmijët në moshë të hershme kanë nevojë të veçantë për edukim dhe zhvillim emocional.

"Fokusi është në lexim, shkrim, matematikë, mirëpo në zhvillimin për edukimin e fëmijës të ciklit të ulët do të kishte me ndiku jashtëzakonisht në rezultatet më të mira në të ardhmen", ka theksuar Nafije Kuqi, mësuese e shkollës “Pavarësia”.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për të rishikuar kurrikulat lëndore dhe programet mësimore për arsimin fillor, nga klasa e parë deri në të pestën, si dhe për arsimin e mesëm të ulët, nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Lidhur me këtë proces, ekspertët e arsimit vlerësojnë se rishikimi është i domosdoshëm, por kërkojnë një qasje më të gjerë dhe më gjithëpërfshirëse.

"Konsideroj që rishikimi i kurrikulës duhet të niset nga kompetencat. Sepse e kemi një kontekst plotësisht tjetër në fushën e teknologjisë, por edhe në kontekstin shoqëror. Ndryshimet që po ndodhin në shoqëri janë të asaj mase sa që një kurrikulë e viteve 2010, pjesërisht 2016, sot duhet të rishikohet për t’iu përshtatur shumë nevojave të fëmijëve... Që të bëhet rishikimi i kurrikulave është me fillu punën për së mbrapthi, e jo për së mbari. E mbara është: agjencia, korniza kurrikulare, pastaj kurrikulat lëndore dhe programet mësimore”, tha Xhavit Rexhaj, ekspert i arsimit.

Rinor Qehaja, njohës i çështjeve arsimore, është shprehur optimist që rishikimi do të ndodhë dhe ka shprehur besimin se dokumenti i ri kurrikular, në secilin rast, do të jetë më i mirë sesa korniza paraprake.

“Suksesi i kësaj pastaj nuk është shumë në dokumentin e rishikuar vetëm, por është se si e njëjta arrin me u konvertu në proces mësimor atje, me u mirëkuptu dhe me pas atë zbatimin e duhur nga mësimdhënësit për me u kthyer në një orë të mirëfilltë mësimore me rezultate të arritura”, tha ai.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se ky proces synon rritjen e cilësisë në arsim. Ajo shton se rishikimi i kurrikulave dhe programeve mësimore, për t’i bërë ato më koherente dhe të harmonizuara me dokumentet strategjike dhe nevojat bashkëkohore, është thelbësor për të garantuar arritje më të mira të nxënësve.


MË SHUME NGA Lajme