Naim Murseli mohon përfshirjen në vrasjen e bashkëshortes së tij
Shkelzen Çoçaj|RTKlive
(E plotësuar, ora 11:45) Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, ka deklaruar para Gjykatës Themelore në Prishtinë se nuk e ka paguar, por as ndihmuar të akuzuarin Granit Plava për të kryer këtë vrasje.
Murseli ka treguar detaje nga nata e 29 nëntorit 2023, kur sipas tij, rrugës nga restoranti për në shtëpi, ai dhe tani e ndjera ndaluan në një pompë të derivateve dhe më pas për të blerë vezë.
Murseli tha se papritur, në Bërrnicë, një person i maskuar u shfaq në rrugë dhe iu drejtua armë Liridonës. Ai shtoi se kishte qenë vozitës dhe se kishte dhënë paratë dhe telefonin e tij personit të maskuar për të mbrojtur familjen.
Murseli po ashtu mohoi se kishte qenë pranë Liridonës gjatë krimit dhe tha se kishte mbetur rreth 20-30 metra larg nga vendi i ngjarjes. Ai tha se fëmijët nuk kishin parë ngjarjen dhe se ato tani janë strehuar tek një familje.
Ai gjithashtu sqaroi raportet me të akuzuarin Kushtrim Kokalla dhe përmendi se kishte patur një problem shëndetësor për të cilin ishte operuar.
Seanca e radhës është caktuar më 11 shkurt 2026, pasi prokurorja kërkoi kohë për të marrë pyetje të mëtejshme nga i akuzuari.
Gjyqi për Liridona Ademajn, refuzohen kërkesat e mbrojtjes
(E plotësuar, ora 10:23) Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të enjten, trupi gjykues ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për plotësimin e procedurës së provave. Ndërkaq, i akuzuari Murseli nisi dhënien e mbrojtjes.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, ka arsyetuar vendimin duke theksuar se disa dëshmi të propozuara nga mbrojtja nuk janë të rëndësishme për ndriçimin e çështjes.
Propozimi i avokatit Dodaj u refuzua me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit të propozuar nuk kontribuon në zbardhjen e fakteve të çështjes.
Propozimi i avokatit Gojani u konsiderua i pabazuar dhe i pambështetur në prova konkrete.
Propozimi i mbrojtjes së Murselit u refuzua pasi gjykata vlerësoi se provat janë elaboruar në mënyrë të mjaftueshme dhe, duke u bazuar në parimin e efikasitetit, ishte e arsyeshme që gjykimi të vazhdonte me dëgjimin e tij.
Në raportet e ekspertizës psikiatrike, Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Murseli nuk ka pasur çrregullime ose sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.
Po ashtu, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, në seancën e 22 shtatorit 2025, kanë vlerësuar se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore, duke konfirmuar kompetencën e tyre për t’u gjykuar.
Gjyqi për Liridona Ademajn, mbrojtja kërkon rikonstruktim të ngjarjes
(E plotësuar) Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar sot gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, rast në të cilin të akuzuar janë bashkëshorti i saj Naim Murseli, si dhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla.
Gjatë seancës, avokatët e Murselit i kanë propozuar gjykatës që të realizohet rikonstruktimi i vendit të ngjarjes, duke argumentuar se një veprim i tillë është i nevojshëm për sqarimin e rrethanave të rastit.
Kërkesa u kundërshtua nga avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla, i cili tha se një rikonstruktim do të sillte vonesa të panevojshme dhe do ta zvarriste procesin gjyqësor.
Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Kokalla, Ndrecë Dodaj ka kërkuar që të dëgjohet edhe një dëshmitar i ri, Tafil Kokalla, kërkesë që u kundërshtua sërish nga pala e dëmtuar.
Ndërkohë, mbrojtësi i Naim Murselit, avokati Shemsedin Piraj, ka theksuar se, sipas ligjit, palët kanë të drejtë të propozojnë prova deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor. Ai sqaroi se kërkesa për rikonstruktim lidhet me dëshminë e ekspertit mjeko-ligjor, Naim Uka, duke shtuar se çështja e afateve nuk duhet të jetë pengesë për zbardhjen e plotë të së vërtetës.
.Mbahet seancë gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt
Sot mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët akuzohen për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt. Seanca po zhvillohet në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë.
Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë tre të akuzuarit për vrasjen e të ndjerës Liridona Ademajt.
Dy të akuzuarit e parë kishin pretenduar se kanë çrregullime mendore, por Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka konstatuar se asnjëri prej tyre nuk ka pasur problematika të tilla shëndetësore gjatë kohës së kryerjes së veprës penale.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt. Ndërkaq, Granit Plava nuk ishte deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kushtrim Kokalla kishte thënë se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me sanksionin penal për Tom Dodajn, i cili akuzohet për shitjen e armës me të cilën është kryer vrasja. Apeli e ka dënuar Dodajn me tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.























