ZKA me kampanjë vetëdijesuese për rolin dhe mandatin e saj
Valmira Saraçi|RTKlive
Zyra Kombëtare e Auditimit nga nesër (e premte) do të nisë kampanjën vetëdijësuese “Auditimi në shërbim të qeverisjes së mirë – Roli dhe ndikimi i ZKA-së”, kjo sipas tyre, me qëllim të informimit të qytetarëve dhe palëve të interesit për rolin, mandatin dhe rëndësinë e auditimit publik.
ZKA-ja thotë se kjo kampanjë do të realizohet në disa qytete të Kosovës, sikurse në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë e Jugut.
“Aktivitetet e kampanjës do të nisin nesër (e premte) në Pejë, me një agjendë gjithëditore. Fushatës do t’i paraprijë takimi i Auditores së Përgjithshme, znj. Vlora Spanca, me Kryetarin e Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri. Në kuadër të aktiviteteve, nxënësit e shkollës së mesme “Ali Hadri” do të njoftohen me rolin e ZKA-së dhe rëndësinë e auditimit publik, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të marrin pjesë në një takim të hapur informues në sheshin e qytetit”, thuhet në njoftim për fillimin e kësaj kampanje.
Tutje ZKA thotë se përmes kësaj kampanje, synon të rrisë transparencën te qytetarët për mandatin dhe aktivitetet e saj, si dhe të promovojë llogaridhënien në përdorimin e fondeve publike.
“Kampanja do të mbështetet edhe me publikimin e përmbajtjeve informuese dhe shpjeguese në ueb faqen dhe rrjetet sociale të ZKA-së, të dizajnuara në gjuhë të qartë dhe të kuptueshme për publikun e gjerë”, thuhet në njoftim.























