UP-ja dërgon mbi 160 studentë në mobilitet Erasmus+
Valbona Thaçi / RTKLive
Mbi 160 studentë të Universitetit të Prishtinës do të nisin mobilitetin akademik në semestrin veror 2026 drejt universiteteve evropiane dhe japoneze, në kuadër të programit Erasmus+ dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, njofton Universiteti i Prishtinës.
Para nisjes, studentët u takuan në rektorat me drejtuesit e UP-së, ku u zotuan se do ta promovojnë Universitetin e Prishtinës dhe Kosovën në vendet ku do të studiojnë.
Studentja Poema Efendia, e cila do të ndjekë studimet në Universitetin e Giessenit në Gjermani, falënderoi UP-në për mundësinë, ndërsa studenti i Mjekësisë Ardi Blakaj ndau përvojën e tij nga mobiliteti në Universitetin e Pavias në Itali, duke e cilësuar atë transformuese.
Rektori Arben Hajrullahu u uroi studentëve suksese dhe i inkurajoi të shfrytëzojnë maksimalisht mundësitë akademike, ndërsa prorektorja Rozafa Basha i quajti studentët ambasadorë të UP-së dhe Kosovës.
Ngjarja u organizua nga Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar, nën drejtimin e koordinares së Erasmus+, Afërdita Rexhepi, ndërsa studentët u porositën që në përvojat e tyre jashtë vendit ta përfaqësojnë Kosovën me dinjitet.























