Veliu: LDK nuk është pronë personale
Medina Pasoma / RTKlive
Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka kritikuar Lumir Abdixhikun për mbajtjen e postit të kryetarit, duke mos u lidhur me struktura të kontrolluara, siç ju ka referuar ai.
“Asnjë kryetar, asnjë kryesi, as Këshilli i Përgjithshëm dhe as Kuvendi nuk është mbi vullnetin e anëtarëve të LDK-së. Pas humbjes së thellë të zgjedhjeve nuk shpëtohet duke u kapur pas strukturave të kontrolluara, por duke dëgjuar zërin e bazës”, ka shkruar Veliu në Facebook.
Më tej ai ka thënë se LDK u përket anëtarëve që e kanë ndërtuar dhe e mbajnë partinë.
“LDK nuk është pronë personale, as e një rrethi të ngushtë. Ajo u përket anëtarëve që e kanë ndërtuar, e kanë mbajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë. Historia e ka treguar se ata që i presin rrënjët, çajnë themelin, e ngatërrojnë rrugën dhe e shndërrojnë shtëpinë e përbashkët në strehë personale, nuk mbahen mend si kryetarë, por si i fundit që del prej saj”, vazhdon postimi i tij.
Në ndërkohë sot kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka falenderuar të gjithë delegatët për vazhdimin e udhëheqësisë së kësaj partie nga procesi i votëbesimit që iu dha të shtunën në Kuvendin e Punës.
Ai mori sinjalin e gjelbër për të vazhduar si kryetar me 164 vota kundër dorëheqjes së tij, teksa 136 delegatë kërkuan largimin e tij me votim të fshehtë.























