Prokuroria: Po vazhdon intervisitimi i të dyshuarve, do të mbrohet vota
BKT
Lajme

Prokuroria: Po vazhdon intervisitimi i të dyshuarve, do të mbrohet vota

Valmira Saraçi|RTKlive

(E përditësuar) Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se po vazhdon intervistomi i të dyshuarve për falsifikim të rezultateve zgjedhore. Sipas Prokurorisë më shumë dallim në rezultat pa rinumërimit ka pasur në komunën e Vitisë.

Ky institucioni ndjekjes thotë se qysh më 20 janar kishin autorizuar Policinë e Kosovës që të evidentojë çdo keqpërdorim të votave gjatë procesit zgjedhor apo ndonjë mënyrë tjetër të falsifikimit apo ndryshimit  të rezultateve, qoftë në favor apo në dëm të subjektit të caktuar apo kandidatëve të caktuar për deputet dhe përkitazi me këtë dyshim, të sigurohen  prova konkrete, të cilat thonë se i kanë pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 2 shkurt.

“Me datë 03.02.2026 kemi autorizuar policinë për intervistimin e të dyshuarve, fillimisht në Komunën e Vitisë, me që në këtë komunë ka pasur më tepër ndryshim në rezultat sipas rinumërimit, në krahasim me komunën e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit, për të cilat intervistimet  e të dyshuarve janë duke vazhduar akoma”, thuhet në njoftimin e prokurorisë në Gjilan.

Tutje thuhet se në territorin, kompetencë e së cilës është Prokuroria Themelore në Gjilan, nuk është ndonjë dallim i theksuar nga rezultati i publikuar më parë në krahasim me rezultatin pas rinumërimit të votave. “Vlen të theksohet se vetëm një kandidat rezulton  me -145 vota pas rinumërimit dhe të gjithë të tjerët janë nën këtë shifër,  siç ka rezultuar në  komunat e tjera të Republikës së Kosovës, andaj Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve në gjitha komunat, përveç nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër” bëhet e ditur tutje aty.

 Prokuroria Themelore në Gjilan thotë se mbetet e përkushtuar të  hetojë dhe të vejë para drejtësisë çdo person i cili ka keqpërdorur qoftë edhe një votë në rezultatin zgjedhor me synimin e mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.

Komisionerë nga Vitia po intervistohen si të dyshuar për manipulim votash

Një tjetër aksion është zhvilluar lidhur me dyshimet për manipulim votash të kandidatëve, këtë herë në rajonin e Gjilanit.

Disa komisionerë nga Vitia aktualisht janë duke u intervistuar lidhur me dyshimet për falsifikim rezultatesh zgjedhore.

Ketë e ka konfirmuar për RTKlive zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Jemi në proces të intervistimit në koordinim me Prokurorin e Shtetit të personave të dyshimtë të Qendrës Komunale të votimit në Viti, lidhur me veprën penale “ Falsifikim i rezultateve të votimit”. Për ecurinë e hetimit të këtyre rasteve do të ju njoftojmë me kohë”, tha Hashani për RTKlive.

Nën të njëjta dyshime deri tash janë zhvilluar aksione në disa komuna të Kosovës dhe disa të dyshuar tashmë janë nën masën e paraburgimit prej 30 ditësh.


MË SHUME NGA Lajme