Hapet edicioni i shtatë i Ekspozitës së Asociacionit të Artistëve Vizual
BKT
Kulturë

Hapet edicioni i shtatë i Ekspozitës së Asociacionit të Artistëve Vizual

Shqipe Gashi|RTKlive

Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës sonte hap edicionin e shtatë të ekspozitës së përvitshme, duke sjellë para publikut një panoramë të gjerë të qasjeve, stileve dhe temave që preokupojnë skenën artistike vendore.

Kjo ekspozitë nuk është vetëm një prezantim i veprave artistike, por edhe një reflektim mbi kushtet e punës së artistëve, mbështetjen institucionale dhe rolin e artit në shoqërinë kosovare.

Në programin e mëngjesit të RTK-së, drejtoresha ekzekutive e Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës, Dardana Goranci Iliyaz, tha se ky edicion vjen me risi dhe interesim të shtuar nga artistët.

“Realisht sonte është hapja e ekspozitës, është edicioni i shtatë me radhë. Si çdo vit, ka risi dhe prurje të reja. Ka interesim të madh të artistëve për t’u bërë pjesë e asociacionit. Çdo vit hapet konkursi dhe anëtarëve të rinj u jepet mundësia të bashkohen”, tha Goranci Iliyaz.

Ajo bëri të ditur se ekspozita përfshin 58 punime nga artistë të ndryshëm, të realizuara gjatë dy viteve të fundit.

“Në ekspozitë janë të përfshira piktura, skulptura, grafika, vizatime dhe punë në miks media. Tema ka qenë e lirë, me qëllim që puna dyvjeçare e secilit artist të ketë një vepër përfaqësuese”, theksoi Goranci Iliyaz.

Ekspozita synon të pasqyrojë zhvillimet aktuale në artin bashkëkohor në Kosovë dhe të krijojë hapësirë dialogu mes artistëve, institucioneve dhe publikut të gjerë.


MË SHUME NGA Kulturë