Kurti pret në takim nxënës nga Prishtina dhe Ulqini
BKT
Lajme

Kurti pret në takim nxënës nga Prishtina dhe Ulqini

Kaltrina Rexhepi|RTK

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim nxënësit e Shkollës së Mesme të Lartë “7 Shtatori” nga Prishtina dhe të Gjimnazit “Vëllazërim Bashkim” nga Ulqini, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy shkollave.

Gjatë takimit, nxënësit bashkëbiseduan me kryeministrin për çështje që prekin drejtpërdrejt të ardhmen e tyre, përfshirë sistemin arsimor në Kosovë, mundësitë e punësimit, përfitimet e shkollave profesionale dhe rëndësinë e arsimit dual.

Kryeministri Kurti theksoi se arsimi është një nga mjetet më të rëndësishme për ndërtimin e mirëkuptimit mes të rinjve në rajon.

“Shkollat e mesme duhet të jenë hapësira të sigurta ku të rinjtë shkëmbejnë ide, bashkëpunojnë dhe mësojnë ta respektojnë diversitetin kulturor”, citohet të ketë thënë gjatë takimit me nxënësir Kurti.

Duke folur për bashkëpunimin ndërmjet shkollave të Kosovës dhe Malit të Zi, Kurti e cilësoi partneritetin mes “7 Shtatorit” dhe “Vëllazërim Bashkimit” si një shembull konkret dhe të vlefshëm. Sipas tij, ky bashkëpunim po ndihmon në ndërtimin e urave mes të rinjve, përmes përvojave të drejtpërdrejta, përfshirë edhe mikpritjen e nxënësve në familjet e njëri-tjetrit gjatë vizitave në Prishtinë dhe Ulqin.

Në takim u diskutua edhe për ndikimin e teknologjisë dhe digjitalizimit në jetën dhe edukimin e të rinjve, si dhe për rolin e shkollave në lidhjen e arsimit me tregun e punës. Kurti theksoi se arsimi mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, me fokus të veçantë në arsimin profesional. “Të rinjtë duhet të jenë të përgatitur për kërkesat reale të tregut të punës,” tha ai.

Nga ana tjetër, drejtoresha e shkollës “7 Shtatori”, Hatixhe Ratkoceri, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), si dhe të Kryeministrisë, për ndërtimin e objektit të ri shkollor.

 “Shkolla e re i plotëson të gjitha kushtet për një proces mësimor cilësor dhe bashkëkohor”, citohet të ketë thënë Retkoceri.

Ratkoceri shtoi se që nga viti 2022, me fillimin e zbatimit të arsimit dual, interesimi i të rinjve për shkollat profesionale ka shënuar rritje të ndjeshme.

 


MË SHUME NGA Lajme