Rizgjedhja e Ademit, polemika për ligjshmërinë e Kuvendit të FFK-së
Uran Krasniqi/RTKLive
Në emisionin “RTK Prime” sonte u diskutua për zhvillimet e fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës, veçanërisht për rizgjedhjen e Agim Ademit si president në Kuvendin e rregullt zgjedhor, që u mbajt të enjten në mesditë.
Ish-futbollisti dhe analisti sportiv, Taulant Dajaku, e cilësoi procesin zgjedhor në FFK si “formën më ekstreme të mospërfilljes së ligjit në Kosovë”, duke theksuar se federatat sportive, përfshirë FFK-në, janë të obliguara të funksionojnë në përputhje me ligjet e shtetit ku veprojnë.
“E para e punës, federatat funksionojnë me një statut të UEFA-s që në nenet e para të saj ka një tregues të qartë që çdo organizatë bashkëpjesëmarrëse në UEFA i përgjigjet ligjit të vendit përkatës. Në këtë formë, fakti që Ministria ka ngritur një shqetësim që është shumë i dukshëm e që lidhet me mirëmenaxhimin e organizatave sportive në vend dhe mospërfillja, tregon qartë atë çka ne kemi thënë në vazhdimësi”, tha Dajaku.
Sipas tij, FIFA dhe UEFA në komunikimet e tyre kanë qenë politikisht shumë korrekt, për shkak se sipas tij ata nuk mund ta sulmojnë anëtarin e vetë.
“Por nëse e lexon mirë letrën që FIFA dhe UEFA ka treguar, është se ‘neve do të bëjmë çdo përpjekje që shqetësimet që Ministria ka, edhe ligji, të shkojë drejt harmonizimit me atë çfarë paraqet Ligji i ri i Sportit në Kosovë’”, shtoi ai.
Sipas Dajakut, shqetësimet e ngritura nga MKRS lidhen drejtpërdrejt me mirëmenaxhimin e organizatave sportive dhe me pavarësinë e trupave votuese. Ai theksoi se Ligji i Sportit në Kosovë kërkon që organet zgjedhore në federata të jenë të pavarura dhe pa konflikt interesi, në mënyrë që të shmanget varësia mes atyre që zgjedhin dhe atyre që zgjidhen.
Nga ana tjetër, avokati Asdren Hoxha vlerësoi se nuk ka elemente të joligjshmërisë në procesin zgjedhor të mbajtur nga FFK. Ai tha se ndërhyrja e MKRS-së përmes shkresës së dërguar në UEFA e FIFA nuk i shërben futbollit të Kosovës dhe rikujtoi se kërkesat e ministrisë ishin adresuar më herët dhe ishin përfshirë përmes amendamenteve statutore.
“Si jurist dhe si njohës i këtyre çështjeve nuk shoh ndonjë joligjshmëri siç e paraqet bashkëfolësi apo ata që mendojnë ndryshe. Pra, nuk kemi të bëjmë me joligjshmëri. Mendoj se kjo ndërhyrje e ministrisë pikërisht në këtë moment nuk i bën mirë futbollit të Kosovës. Taulanti u mundua të relativizojë rolin e heshtjes së tyre pas mbajtjes së këtij kuvendi. MKRS i ka dërguar kërkesat në FFK para kuvendit të vitit të kaluar. FFK e ka publikuar mbledhjen e kuvendit, duke i amendamentuar kërkesat e ministrisë. Në atë mbledhje kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s”, theksoi Hoxha.
Sipas tij letra e këtyre dy institucioneve që ka ardhur tash në adresën e FFK-së, por edhe në MKRS, nuk ka ardhur rastësisht e as në hamendje, por “sepse ata e kanë parë se është bërë amendamentimi statutor i FFK-së”.
Ai shtoi se tani është e rrugës që Ministria e Sportit ta njohë kuvendin e FFK-së, pasi sipas tij në këtë moment të ndjeshëm, në prag të “play-off”-it për Kupën e Botës, nuk i duhen këto ngatërresa futbollit të Kosovës.
Gazetari Alban Lumi hodhi poshtë pretendimet për konflikt mes MKRS-së dhe FFK-së, duke theksuar se ka komunikim të vazhdueshëm mes palëve. Sipas tij, gjatë muajit janar janë kërkuar disa sqarime nga MKRS drejt UEFA-s, për të cilat janë marrë përgjigje zyrtare.
“Të mos harrojmë që në vitin 2025 janë mbajtur dy kuvende të punës të FFK-së, ku janë hedhur në votim disa amendamente. Më pas kanë qenë vërejtjet e MKRS-së që kanë kërkuar plotësime të statutit dhe federata me plotë mirëkuptim e ka organizuar kuvendin e dytë, ku janë votuar ndryshimet e kërkuara prej shtetit në aspektin ligjor. Në shkresën e fundit, UEFA dhe FIFA kanë thënë qartë se FFK është komplet në harmonizim me ligjet dhe rregulloret e tyre”, tha Lumi.
Ai rikujtoi se menjëherë pas kuvendit të sotëm, presidenti i rizgjedhur i FFK-së, Agim Ademi, ka marrë urimet nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dhe ai i UEFA-s, Aleksandër Çeferin.
Po ashtu, Lumi bëri të ditur se katër delegatët e kontestuar, që vijnë nga shoqatat, nuk kanë marrë pjesë në kuvendin e sotëm dhe nuk kanë votuar.























