Ndahet nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare Idriz Syla
Blerim Halimi | RTKlive
Ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Idriz Syla, nga fshati Bresalc i komunës së Gjilanit.
Idriz Syla ishte i angazhuar për dekada në veprimtarinë kombëtare, duke vepruar si në Kosovë ashtu edhe në Perëndim, ku kishte jetuar dhe punuar për rreth 40 vjet. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai kishte mbështetur pareshtur Lëvizjen Çlirimtare dhe më pas Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Shtëpia e tij njihej si vatër e atdhetarizmit dhe e rezistencës kombëtare. Familja Syla kishte dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare, me katër djem dhe dy nipa të angazhuar në radhët e UÇK-së.
I ndjeri njihej për qëndrimin e tij të palëkundur përballë presioneve, kërcënimeve dhe shantazheve të ish-shërbimit sekret jugosllav (UDB). Edhe në rrethana të rënda jetësore, kur i ishte marrë pasaporta, ishte lënë pa punë dhe kishte për të mbajtur një familje me shtatë fëmijë, ai nuk ishte përulur dhe nuk kishte hequr dorë nga bindjet e tij. Në të njëjtën kohë, familja e tij përballej edhe me përndjekjen e vëllait të tij, Shemsiut, nga regjimi serb.
Varrimi i të ndjerit Idriz Syla do të bëhet sot në fshatin Bresalc të Gjilanit, në orën 13:00.























