`Liria ka Emër` merr mbështetjen e Skenderajt për Marshin e 17 shkurtit
BKT
Lajme

`Liria ka Emër` merr mbështetjen e Skenderajt për Marshin e 17 shkurtit

Sh.Çoçaj/RTKlive

 Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Komunën e Skenderajt, ku janë pritur nga kryetari i komunës, Sami Lushtaku, së bashku me përfaqësues të administratës komunale.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e platformës kanë prezantuar qëllimet dhe aktivitetet e “Liria ka Emër”, duke vënë theksin në rëndësinë e mobilizimit qytetar për mbrojtjen e drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare. Ata po ashtu kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen e ofruar nga Komuna e Skenderajt për Marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Tasholli ka theksuar se Marshi i 17 shkurtit përfaqëson një thirrje qytetare për respektimin e drejtësisë së paanshme dhe për ndarjen e saj nga ndikimet politike, në funksion të mbrojtjes së së vërtetës historike dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

Ndërkohë, Eliza Hoxha ka deklaruar se përkrahja e komunave dhe e udhëheqësve lokalë po e fuqizon këtë iniciativë qytetare, duke nënvizuar se mbështetja institucionale dëshmon se kjo kauzë është mbi interesat e politikës ditore dhe përfaqëson një interes të përbashkët qytetar.

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka shprehur mbështetje të plotë për Marshin e 17 shkurtit dhe ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve.

Sipas tij, Marshi për drejtësi dhe për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë meriton përkrahjen dhe angazhimin e çdo qytetari të Republikës së Kosovës.

Platforma “Liria ka Emër” ka bërë të ditur se do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, me synim mobilizimin sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.


MË SHUME NGA Lajme