Prokuroria përfundon ditën e parë të deklaratave përmbyllëse
Medina Pasoma / RTK
(E plotësuar 17: 52) Në Gjykatën Speciale në Hagë, kanë përfunduar, për ditën e parë, deklaratat përmbyllëse për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se ditën e martë (nesër), prokurorëve do t’u nevojiten më pak se dy orë për të shpalosur përgjegjësitë penale të të akuzuarve, ndërsa në fund prokurorja e specializuar, Kimberly West, do të mbajë fjalën përmbledhëse.
Në fillim të ditës, sot, West bëri të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, apo gjithsej 180 vjet burgim.
Gjatë deklaratës përfundimtare të Prokurorisë, për ditën e sotme, prokurori Nathan Quick tha se Adem Demaçi kishte një rol të kufizuar në krijimin e institucioneve, por sipas tij, ai ishte vartës i Hashim Thaçit.
Quick shtoi se, krahas rolit politik, Kadri Veseli kishte edhe funksionin e shefit të shërbimit informativ.
Sot, në ditën e parë, prokurorët e specializuar folën për rolin që kishin të katër të akuzuarit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur këtë organizatë me strukturë dhe hierarki.
Kryeprokurorja: Kërkojmë dënim prej 45 vitesh për secilin

Zyra e Prokurorit të Specializuar po vazhdon me deklarata përmbyllëse të saj në gjykimin Thaçi dhe të tjerët.
(14:00) Prezantohet një hartë që pretendon vendet ku u keqtrajtuan civilët
Prokurori James Pace shpalosi gjatë seancës një hartë të Kosovës, sipas së cilës pretendohet se shtrihen vendet në të cilat sipas dëshmitarëve, janë keqtrajtuar, zhdukur e vrarë civil gjatë luftës.
Pace tha se në periudhën prill 1998 deri në gusht 1999 janë regjistruar 437 incidente të ndalimit.
“Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në kohën e arrestimit të tyre”, tha ai. Sipas aktakuzës, në mesin e të ndaluarve përveç serbëve kishte edhe pjesëtarë të UÇK-së.
Pace tha se ka pasur raste të keqtrajtimeve çnjerëzore në pikat e ndalimit, duke thënë se rrahjet brutale kanë shkuar deri në humbje ndjenjash. Ai tha se sipas dëshmitarëve, keqtrajtimet ishin aq të mëdha sa i detyruan të ndaluarit t’iu nënshtrohen operimeve dhe se efektet e rrahjeve janë ndjerë gjatë.
(13:45) Lawson pretendon se UÇK-ja kishte gjykatë ushtarake dhe merrte vendime për dënime me vdekje
Prokurorja Clare Lawson në fjalën e saj përfundimtare në procesin gjyqësor që po mbahet në Hagë, tha se UÇK ka pasur gjykatë ushtarake me vendime të pa bazuara juridikisht, por mbi marrëdhëniet ndërpersonale të shtabit të përgjithshëm.
“Në fund të vitit 1998 u themelua sektori ligjor dhe gjykata ushtarake, gjë e cila u motivua nga nevoja e lidershipit të UÇK për të legjitimuar veten para komunitetit ndërkombëtar. Gjykata nuk kishte burimet e nevojshme dhe ishte jo efektive, një pikë e cila duket se ka pajtueshmëri brenda palëve. Anëtarët e përgjithshëm të shtabit të UÇK-së, si Selimi dhe Limaj, kanë ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë duke liruar ose fshehur të ndaluarit ose ndryshe duke anashkaluar tërësisht punën e gjykatës”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kjo gjykatë ka marrë edhe dënime me vendime për vdekje duke u nisur nga “marrëdhëniet personale dhe aktgjykimet janë nënshkruar nga persona që nuk ishin pjesë e gjykatës, përfshirë anëtarë që ishin pjesë e shtabit”.

(E përditësuar 11:09) Prokurori Tieger përmbledh deklaratat e dëshmitarëve|LIVE
Prokurori Alan Tieger ka bërë një përmbledhje të deklaratave të dëshmitarëve për ish-krerët e UÇK-së.
Ai tha se Rexhep Selimi është person që njihet për afërsinë me Adem Jasharin dhe si një nga organizatorët më të hershëm në fushëbetejë. Tieger shtoi se Selimi gëzonte respekt si ish i burgosur politik.
Për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, prokurori tha se kanë shkuar në Zvicër më 1994 deri më 1998, për t’u kthyer në Kosovë çdo 3 ose 4 muaj.
“Thaçi dhe Veseli kanë pasur detyra të rëndësishme gjatë asaj kohe, të mbanin kontakte, të sillnin armë, përfshirë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të 1997-ës”, deklaroi Tieger.

(10:35) Kryeprokurorja e Speciales kërkon 45 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së
Kryeprokurorja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Kimberly West ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë paraqitjes së fjalëve përfundimtare në seancën e së hënës të këtij procesi gjyqësor.
“ZPS-ja kërkon vendim dënimin për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi unik prej 45 viteve mbështetur në kontributet individuale të krimeve, të kryera apo të bëra prej secilit prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ”, tha ajo në kërkesën e saj.
Ajo tha se këto krime janë kundër njerëzimit dhe të rënda si natyrë. West tha se akuzat ndaj katërshes nuk e kanë humbur peshën, por vazhdojnë ende të jenë të rënda.
Kryeprokurorja e Speciales: Drejtësia do të dëgjohet
Ka nisur faza përmbyllëse e gjykimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Prokuroria ka nisur me deklaratat përmbyllëse në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West tha se kjo gjykatë ka dëshmuar se klima e frikësimit të dëshmitarëve mund të menaxhohet.
“Kemi dëshmuar se klima e frikësimit mund të menaxhohet në një mënyrë që siguron që e vërteta do të dëgjohet. Jemi bërë një gjykatë funksionale e suksesshme në një periudhë relativisht të shkurtër”, tha ajo, teksa falënderoi viktimat dhe dëshmitarët në këtë çështje duke thënë se janë më meritorët.
West tha se “pavarësisht frikësimeve, kërcënimeve, stigmave dhe situatave më të cilat janë përballur këta dëshmitarë dhe familjet e tyre nga një grup i kufizuar por me zë në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dal në pah”.
Në Speciale nga sot palët do të paraqesin fjalën përfundimtare për gjykim
Arbresha Berisha / RTK
Nga sot procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë hyn në fazën përfundimtare.
Prej sot deri më 18 shkurt në Dhomat e Specializuara palët do të paraqesin fjalën përfundimtare për gjykimin.
Seancat e para janë planifikuar për prokurorinë, pastaj mbrojtësin e viktimave e mbrojtjen e të akuzuarve.
Në seancën e fundit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do t’i kenë në dispozicion nga 20 minuta për të dhënë qëndrimet e tyre.
Njohës të këtij procesi presin që fundi të jetë triumfues për katershen.
Sipas avokatit Ardian Bajraktari, pala mbrojtëse e tyre është në avantazh për shkak të kredibilitetit të dëshmitarëve.
“Ecuria e procesit tashmë po shkon drejt fundit dhe sipas këtyre parametrave vlerësoj se kah qershori ose korriku do ta kemi verdiktin e trupit gjykues në shkallë të parë, e në rast se ka drejtësi unë jam optimist se fundi i procesit do të jetë triumfues, do të jetë rikonfirmues sa i përket pastërtisë së luftës së UÇK-së”, tha për RTK-në Ardian Bajraktari, avokat.
Njëjtë mendon edhe drejtori i Institutit për Drejtësi, Ehat Miftaraj i cili ngriti shqetësime për qasjen e trupit gjykues e cila sipas tij nuk ka qenë e barabartë.
“Trupi gjykues nuk është që ka pasur një qasje të drejtë e të barabartë, të paanshme si për prokurorët, ashtu edhe për mbrojtësit e viktimave ashtu edhe oër të pandehurit dhe avokatët mbrojtës. Fatkeqësisht ka pasur masa të paraburgimit përtej afatit të arsyeshëm kohor. Për ne është e pakuptimtë që të pandehurit të mbahen në paraburgim për vite të tëra. Nëse do të kemi një aktgjykim lirues, atëherë cili do të jetë arsyetimi i gjykatës”, ka thënë për RTK-në Ehat Miftaraj.
Pas fjalës përfundimtare, trupi gjykues ka 90 ditë kohë për të marrë një vendin të shkallës së parë.























