Nisin hetimet për parregullsi gjatë numërimit të votave në Podujevë
Emine Hoti/RTKlive
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht, Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), kundër të Drejtave të Votimit.
“Gjatë këtij procesi, ekzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre qe bien ndesh me ligjin.























