Rama thotë se Gjykata speciale po përpiqet të përmbysë historinë
BKT
Lajme

Rama thotë se Gjykata speciale po përpiqet të përmbysë historinë

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si akt të turpshëm të shtrembërimit të së vërtetës dhe sulm politik ndaj luftës çlirimtare.

Ai ka thënë se kërkesa për dënime prej 45 vjetësh për krerët e UÇK-së nënkupton kriminalizimin e rezistencës ndaj okupimit dhe legjitimimin e krimeve të agresorit. Sipas tij, ky proces nuk synon zbardhjen e përgjegjësive individuale, por goditjen e vetë aktit të çlirimit dhe paraqitjen e luftës për liri si vepër penale.

Rama ka theksuar se, sipas tij, nuk po gjykohen individë, por po sulmohet një komb, duke tentuar përmbysjen e historisë dhe zhvendosjen e fajit nga agresori te viktima, nga shteti që kreu krime te ata që u ngritën kundër tyre.

Ai e ka quajtur këtë padrejtësi të institucionalizuar dhe revizionizëm politik, duke shtuar se një drejtësi që barazon pushtuesin me të pushtuarin nuk është drejtësi, por një farsë që rrezikon të shndërrohet në njollë të përhershme mbi kujtesën historike dhe mbi vetë nocionin e drejtësisë ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Lajme